Familja mesatare zvicerane në vitin 2017 ka pasur në dispozicion të ardhura mujore që për pak i afrohen shifrës prej 7000 frangash (6984 franga). Këtë e tregon raporti më i ri i publikuar sot nga Zyra Federale për Statistika, shkruan sda.ch.
Sipas këtij raporti, të ardhurat e disponueshme për familje në nivel vendi kanë pësuar një rënie prej 140 frangash në muaj, në krahasim me vitin paraprak. Pra, në vitin 2016 këto të ardhura arrinin në 7124 franga.
Sigurisht, lartësia e të ardhurave të disponueshme për familje ndryshon shumë, në varësi nga përbërja e familjes. Kështu, çiftet me fëmijë në periudhën 2015-2017 kanë disponuar mesatarisht 9787 franga në muaj ndërsa amvisnitë me vetëm një person mbi moshën 65 vjeçare, kanë pasur në dispozicion vetëm 3417 franga në muaj.
Afërsisht një të tretën e të ardhurave familjet duhet ta japin menjëherë, për shpenzimet e domosdoshme si tatimet, kontributet e AHV (pensionale) dhe për premitë e sigurimit shëndetësor. Përkthyer në shifra, kjo shumë është mesatarisht 2933 franga në muaj, përcjell albinfo. Tatimet, me 1155 franga në muaj gëlltisin pjesën më të madhe nga shpenzimet e domosdoshme ose 11.7% të të ardhurave bruto.
Kontributet për sigurimet sociale kanë marrë 9.5% tüë të ardhurave bruto të familjeve, sigurimi i detyruar shëndetesor, 6.5% etj.
Më shumë se gjysmën e të ardhurave bruto, familjet e shpenzojnë në konsum. Këtu hyn kostoja e banimit dhe energjisë e cila, me 1463 franga ose 15%, përbën shpenzuesin më të madh në përgjithësi. Për ushqim, familjet zvicerane në vitin 2017 kanë shpenzuar mesatarisht nga 636 franga në muaj.
Diskutime rreth kësaj post