Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka shpërthyer ditën e djeshme në akuza dhe në sulme në adresë të presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ditën e djeshme zhvilloi një takim në Presidencë me krerët e opozitës joparlamentare, por për avokat Ngjelën kjo është një lëvizje dëshpëruese.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ngjela deklaroi se Meta i kërkoi ndihmë kryedemokratin Basha që të rinisë protesta, pasi sipas tij, është e vetmja rrugë që kreu i shtetit synon të përdorë në luftën e nisur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
“Meta sot kërkoi ndihmë nga Basha për të marrë armët. Basha sigurisht që tallet me të, sepse situata e tyre është shumë e rëndë. Kurse Basha ka hallin e tij. Basha mezi po i rregullon yneret e tij në Amerikë, kurse Meta kërkon luftë me Amerikën dhe Bashkimin Europian!!! Basha e di mirë çdo të thotë kjo luftë, se e provoi me mbledhjen e molotovëve në protestën e fundit. Po Meta, a e di këtë”, – deklaroi ai.
Më tej, avokat Ngjela akuzoi Metën se është bërë si Enver Hoxha dhe se po bën këtë luftë për të mbrojtur pasurinë.
“Meta, në fakt, është në situatën kur nuk kupton dot asgjë. Kërcënon diplomatët, shpif, dhe me mendjelehtësi mendon se kancelaritë e mëdha perëndimore mund të “tremben”. Dhe ka filluar të flasë për sovranitetin. Si Enver Hoxha, kur i rrezikohej karrigia. Por nuk ka asnjë shqiptar që ta përkrahe, me përjashtim të atyre që ka pranë dhe i paguan. Në fakt, është i trembur dhe nën klithma frike po kërkon sovranitet për të garantuar pronat dhe paratë e tija. Këtë sigurisht që e kuptojnë të gjithë shqiptarët, prandaj po e neverisin. Kurse Uashingtoni sigurisht që qesh me të, se e di madje edhe ku i ka depozitat e parave. Por, tani që Ilir Meta po bën si i çakallosur, a do ta denoncojë Uashingtoni, që edhe shqiptarët t’i dinë bëmat e tij korruptive”, – nënvizoi avokat Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post