Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar nga SHBA për situatën e krijuar sot tek zona e Astirit, ku pas përplasjes së banorëve me policinë, 12 persona u plagosën, mes tyre 5 efektivë dhe 7 qytetarë.
Kryemadhi e quan dhunë shtetërore atë që ndodhi sot dhe sipas saj është “dëshmia e radhës së pushtetit të Edi Ramës në ortakëri me krimin dhe korrupsionin”.
“Dhuna shtetërore e ushtruar sot në mëngjes me të gjithë barbarinë antinjerëzore e në tejkalim të plotë të kompetencave të ligjit ndaj banorëve të Unazës së Re, është dëshmia e radhës së pushtetit të Edi Ramës në ortakëri me krimin dhe korrupsionin, është prova e qartë se makineria qeverisëse është vënë në shërbim të klaneve kriminale, për interes të të cilave nuk kursen as dhunën ndaj qytetarëve, ndaj grave e fëmijëve të pa mbrojtur, ndaj të moshuarve dhe gjithë të tjerëve pa dallim.
Është gjithashtu edhe treguesi më i qartë se e gjithë retorika e tij për “Drejtësinë e Re” është një mashtrim, pasi drejtësia atij i duhet për të mbrojtur krimet dhe korrupsionin, ndërsa për qytetarët e pa mbrojtur dhe në nevojë ka zgjedhur dhunën dhe paligjshmërinë.
Po ndërkaq, skena e krimit, e ideuar dhe urdhëruar nga Edi Rama, parathotë fundin e tij të pashmangshëm, që do të jetë i njëjtë me fundin që meritojnë të gjithë ata që i kundërvihen popullit të tyre, të gjithë ata që u shërbejnë interesave të krimit në dëm të interesave kombëtare”, thuhet në reagimin e kryetares së LSI.
“Dhimbja dhe lotët e nënave dhe fëmijëve që mbetën pa shtëpi dhe e baballarëve të dhunuar në sy të fëmijëve, për të ushqyer metastazat kanceroze të korrupsionit dhe krimit të maxhorancës së votave të vjedhura nga bandat e krimit, do të bëhen shumë shpejt, mallkimi dhe ndëshkimi mbi Edi Ramën dhe bandën e tij të pushtetit!
Në solidaritet të plotë me banorët e Unazës së Re, ju jap fjalën e zemrës me gjithë dashurinë e nënës, por edhe si Kryetare e LSI-së, se do të marrin një më një të gjithë kompensimin për dëmin e shkaktuar dhe se Edi Rama dhe e gjithë banda e tij do të përgjigjen para drejtësisë së ligjit!”, mbyllet reagimi.
Diskutime rreth kësaj post