Siç po shihet, ditë pas dite, turi i saponisur i Bashës po shfaq si risi një përpjekje të këtij të fundit për të arritur të vizatojë në publik një identitet të munguar politik, duke përfshirë në ligjërimin e tij përgjithësisht skematik e dogmatik ca detaje të pakonsumuara deri më sot në zjarrin e luftës politike me kundërshtarin. Një ditë më parë ofroi psenë e përfshirjes së tij në politikë, gjithsesi pa ofruar ndonjë suprizë qoftë dhe poetike në shpjegim, gjithsesi patetik, e pas kësaj ofroi atë që siç tha e diferencon me Ramën. Nuk kishte asnjë suprizë dhe në këtë rast. Tha se ai nuk kishe asnjë lidhje me kriminelët e oligarkët (pra që Rama i ka).
Kjo e dyta është e re, por e para ka së paku që nga viti 2000, kur që prej momentin që Rama vendosi të futet në një garë elektorale si aktor politik sfidues ndaj PD-së, prej kreut të saj Berisha iu vu dhe kjo xancë; ajo e të qënit pjesë e krimit. Pra është e stërkonsumuar, edhe e dështuar gjithashtu. Sepse në terma elektoralë, i gjithë ligjërimi egërshan i Berishës, i ka sjellë atij bilance negative elektorale, sidomos përballë Ramës. Si provë simbol e kësaj janë Lokalet e 2007, kur fotoja nudo e Ramës e publikuar nga Berisha, pra jo akuzë por provë e prekshme, i dha atij një fitore spektakolare përballë kandidatit më të fortë që kish patur në garat e tij të deriatëhershme; të ndjerit Sokol Olldashi. Mirëpo në rastin e Berishës, te ai ka prevaluar gjithnjë instikti inatçor mbi inteligjencën politike, çka ka bërë që kurrë mos merr mësim nga pësimet. Aq më pak Basha, sajesa e tij politike. Te diferencat pra, Basha përfshin një akuzë që nuk ka asnjë gjasë t’i japë atij rezultat elektoral, as të bëjë atë më të pëlqyeshëm në publik, pasi ekziston një tjetër diferencë mes tyre; shumë më e thellë, e shumë më thelbësore, shumë më tepër edhe impaktive në gjykimin e guston publike për njërin apo tjetrin.
E para, ata janë gjetur “rastësisht” përballë njëri-tjetrit si rivalë të drejtpëedrejtë politikë, duke mos patur asnjë lidhje veç të qënit shqiptarë. Ekuivalenti i Bashës nuk është Rama por Veliaj. Që të dy, Basha e Veliaj janë më të afërt me moshë e brez. Që të dy kanë bërë shkollim jashtë e që të dy janë futur në politikë në mes të viteve 2000. Por edhe pse me këtë ekuivalencë, Veliaj ka shumë më tepër avantazh në profilin publik, gjë të cilën ja jep lloji i rrugëtimit nga faktor civil në faktor politik, një zhdërvjelltësi në protagonizëm, e një prirje e lindur për lidership. Thënë kjo, publikut i vjen më natyrshëm të shohë Veliajn si kryeministër të ardhshëm sesa Bashën. Nëse politika është edhe pak aktrim, Basha edhe në rol është i dobët.
Duke mbetur te qasja psikologjike e tipareve të tij, te ajo që është e lindur bashkë me njeriun, Basha në këtë pikë dhe disavantazhin e tij më të madh; atë që nuk e ka lindur të qënit në lider. Kjo e lë në një diferencë disavantazhuese ndaj Ramës. Rama, edhe pa qenë në politikë, posedonte lidership në frymën, modelin, tiparet, individualitetin, personalitetin imponues, ku pikërisht elementi kontravers në kuptimin kulturor të fjalës, i ka dhënë një identitet deri më sot të pakonkurrueshëm, edhe kulturor por edhe politik. Ka të lindur gjithashtu dhe aftësinë politike, sepse deri më sot, në të gjitha historinë e post-komunizmit, mbetet e vetmja figurë e ardhur nga shoqëria civile, apo ndryshe nga bota intelektuale, që ka mundur të ketë sukses politik, duke arritur te pika e marrjes së përgjegjësisë publike dhe e sfidës politike. Nga pikëpamja elektorale, mbetet politikani me bilancin më pozitiv.
Shtoi kësaj dhe një format kulturor që vijon të prodhojë kualitet ligjërimor, e bën edhe në këtë pikëpamje, ende të pasfidueshëm. Shih ballafaqimet e tij në studio debatesh me figura të elitës mediatike, se si i “vë në rresht” qoftë dhe me batuta. Pra, edhe me disavantazhin e një qeverisjeje plot njolla, deri dhe zhgënjyese, Rama ende mbetet i pasfidueshëm. Duke rrotulluar kokën në të gjithë spektrin politik, i vetmi që do mund të ishte kokëçarës për të, në një krejt tjetër rrethanë politike, do qe vetëm Veliaj.
E duke iu rikthyer Bashës, ky i fundit në subkoshiencë e vuan inferioritetin e tij, gjersa te diferenca potencon një akuzë të stërkonsumuar. Sepse, do mjaftonte që Rama t’i kthehej me të njëjëtn gjuhë, duke i thënë se “diferenca me ty është se unë nuk kam urdhëruar të vriten protestues në bulevard”, apo se “nuk më ka çuar kush në prokurori për mbi 200 milion euro të vjedhura, e t’i bëj bisht asaj me procedurë”, e këtu gjithçka mbaron dhe e humbet kuptimin. Por është shumëçka tej kësaj, që me pak fjalë mund të shprehen me të qënit e Ramës një histori e të qënit të Bashës ende një individ. Eshtë ajo që e gjen shpjegimin te fakti se po t’i heqësh Bashës politikën, nuk mbetet asgjë më shumë se sa një rrogëtar anonim me të ardhura të majme. Krejt e kundërta është me Ramën…
Diskutime rreth kësaj post