Presidenti francez, Emmanuel Macron ka komentuar në një intervistë për ‘The Economist’ edhe vendimin për të mos lejuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
‘Duhet të them se shumica e tyre ishin pro nisjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, por thuajse gjysma ishin kundër Shqipërisë. Gabim fatal,’ tha Macron.
Presidenti francez duket i vendosur kundër zgjerimit, duke thënë se procesi është i pakuptimtë.
‘Është absurde të hapësh një proces thjesht burokratik,’ tha ai.
Macron tha se e mbrojti Shqipërinë nga poshtërimi duke mos nisur negociatat me dy vendet. Ai tha se nëse do poshtëronte Shqipërinë, destabilizonte rajonin. Macron insistoi se, nuk ka negociata pa reformimin e procesit të anëtarësimit.
“Pyetini ata (vendet e BE-së) nesër nëse duan të hapin derën për Shqipërinë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Ata duan të hapen me Maqedoninë e Veriut, e cila është vend i vogël dhe ka ndryshuar emrin, gjë që është një arritje e vërtetë historike. Nuk frikëson askënd. E vërteta është që nëse nuk i hapemi Shqipërisë, do të shkaktojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Kudo ka komunitete shqipfolëse. Nëse poshtëron Shqipërinë, atëherë rajoni destabilizohet në mënyrë të pakthyeshme. Pra, bindja ime është se, së pari, ne duhet të reformojmë procedurat tona të anëtarësimit, të cilat nuk janë më të përshtatshme për qëllimin e tyre, nuk janë strategjike. Ato nuk janë politike, janë tepër burokratike dhe jo të kthyeshme, ndërkohë që duhet të jemi në gjendje në një moment të caktuar të marrim në konsideratë çështjen e kthyeshmërisë,” tha Macron.
“Nëse e arrijmë këtë reformë në muajt e ardhshëm, unë do të jem i gatshëm të hap negociatat, nëse ata bëjnë edhe disa përpjekje shtesë që kanë mbetur. Por unë nuk dua asnjë anëtar tjetër të ri pa u reformuar vetë Bashkimi Evropian. Për mua, ky është një parakusht i sinqertë dhe i domosdoshëm.”
Macron tha se pretendimet për ndikimin rus, kinez apo turk nëse nuk hapen negociatat nuk qëndron. Sipas tij, ka vende që kanë hapur negociatat, por sërish ndjehet ndikimi i këtyre influencave.
Diskutime rreth kësaj post