Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se procesi i seancave të dëgjimit për nivelin e lartë drejtues që do t’i nënshtrohen të parët Vettingut ka nisur sot.
Sipas tij reformat për forcimin dhe pastrimin e punonjësve dhe institucioneve tona, do të vijojnë.
Sandër Lleshaj shkruan:
“Nisi sot procesi i shumëpritur i seancave të dëgjimit për nivelin e lartë drejtues, që do t’i nënshtrohen të parët Vettingut. Procesi ka hyrë kështu në fazën vendimtare. Presim rezultate konkrete, të cilat do të ndikojnë në forcimin e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera që do të vlerësohen.
Ky është kurorëzimi i një përpjekje të gjatë përgatitore, që kulmoi me miratimin e ligjit dhe ngritjen e strukturave të posaçme.
Në përfundim të këtij procesi, ne presim që Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), të dalin më të forta, më me integritet dhe më imune ndaj fenomeneve të korrupsionit apo paaftësisë profesionale.
Realizimi i Vettingut është ndër prioritetet më të rëndësishme të punës sonë, i cili besojmë se do të ketë efekt pozitiv edhe në procesin e Reformës në Drejtësi. Pa një reformim të thellë edhe në fushën e Policisë, reforma në drejtësi nuk do të ishte e plotë.
Reformat për forcimin dhe pastrimin e punonjësve dhe institucioneve tona, do të vijojnë.”
Diskutime rreth kësaj post