Redjan Rraja është arrestuar ditën e sotme si i dyshuar për përfshirjen në atentatin e Shkozetit, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor.
Ka dyshime të arsyeshme se Rraja është përfshirë në atentatin e Shkozetit, ku mbetën të plagosur Arjan Ndoji, prokuror i Durrësit, Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit” dhe Andi Maloku, ky i fundit shofer i mjetit.
Pikërisht për këtë arrestim ka reaguar edhe Kryeministri Rama i cili me një postim në rrjetin social Twitter ka shkruar:
Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda…
Gjithashtu Rama ka treguar se brenda muajit do të bëhet ligji special kundër personave të inkriminuar, gjithashtu do të merren, sipas tij, masa speciale edhe kundër KÇK, duke nënkuptuar këtu prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.
“Dhe masat speciale kundër KÇK-së; Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund #ZeroTolerancë”.
Ky është reagimi i parë i Ramës që nga atentati që iu bë prokurorit Ndoji.
Diskutime rreth kësaj post