Kur u tha “Jo” negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, Presidenti Emmanuel Macron goditi në strategjinë kryesore të Unionit për integrimin Ballkanit Perëndimor, pasi jo vetëm që anëtarësimi në BE bëhet më i largët për të dy vendet e rajonit, por të tjerët ngadalë nis e humbasin shpresën, shkruan portali Politico.
“Fakti që vendet anëtare të BE-së si Franca, nuk mund të pajtohen dhe mbështesin vendimin e Komisionit Evropian, i cili më parë vlerësoi se si Maqedonia ashtu edhe Shqipëria përmbushnin kriteret për hapjen e bisedimeve, është me të vërtetë një krizë. Kjo do të thotë se qeveritë e BE-së nuk besojnë në KE, gjë që e bën procesin e zgjerimit të paparashikueshëm”, thuhet në tekst.
Anëtarësimi në BE, si nxitja e vetme
Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që BE duhet të heqë dorë nga Ballkani, porse duhet ta shohë ngërçin aktual si një mundësi për të rishqyrtuar marrëdhëniet e saj me rajonin.
“Për BE-në, ky mund të jetë momenti për të zhvilluar më në fund strategji më të mirë për t’u marrë me autokratët në rajon, të cilët aktualisht nuk kanë as nevojë dhe as qëllim për të hequr dorë nga kontrolli joformal i institucioneve kombëtare”, shkruan Politico.
Franca pretendon se dëshiron të përmirësojë mënyrën se si BE-ja i afrohet negociatave të zgjerimit, por nuk ka ofruar një mënyrë për ta bërë këtë. Prandaj, kjo është koha e duhur që BE të zhvillojë një politikë të re të jashtme në rajon që do të përqëndrohet vetëm në procesin e pranimit, të paktën me koston e një diplomacie të mirë.
Qasja e bllokut ndaj Ballkanit Perëndimor mbështetet prej kohësh në parimin se ideja e anëtarësimit në BE ishte shtytja e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura. Kjo metodë nuk funksionoi nën shembullin e Serbisë dhe Kosovës, vlerëson portali.
Një rrugë më e shkurtër dhe e shpejtë për në Union
Dialogu me Brukselin u frymëzua nga premtimi se normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë do të hapte rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, por kjo nuk funksionoi, pasi u shkatërrua nga teza për lëvizjet e kufijve dhe pasiguria nëse pesë anëtarë të bllokut që e njohin Kosovën të ndërronin mendje.
Perspektiva e anëtarësimit në BE ishte një nxitje e mjaftueshme për disa vende, por ajo u mjegullua nga problemet e vërteta. Për një kohë të gjatë, politika e jashtme e BE-së është mbështetur në idenë e anëtarësimit si një lloj kurimi, sesa ndërmjetësim intensiv.
BE dhe Ballkani Perëndimor tani janë në një pikë kthese dhe duhet të vijnë me një mënyrë krejt të re për të punuar së bashku. Gjashtë vende në rajon mund të gjejnë fusha të politikave që mund të integrohen në BE pa hyrje zyrtare, dhe BE mund të inkurajojë përpjekje të tilla me ekspertizë dhe burime.
Në këtë mënyrë, edhe nëse rruga për anëtarësim rezulton të jetë më e gjatë nga sa pritej, rajoni mund të afrohet me BE-në. Edhe nëse kjo nuk është e imagjinueshme tani, vendet e rajonit mund të bëhen pjesë e zonës Shengen ose Zonës Ekonomike Evropiane. Në fund të fundit, anëtarësimi në BE do të ishte më i shkurtër dhe më i shpejtë, pasi vendet gradualisht do të integroheshin në strukturën e BE.
“Jo-ja për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore gjithashtu duhet të jetë një mësim i vlefshëm për reformatorët në rajon që janë mbështetur te të huajt për një kohë të gjatë. Mesazhi nga Brukseli tani është i qartë: ju jeni vetëm! – përfundon teksti.
Diskutime rreth kësaj post