Drejtuesit e klubit të Arsenalit do të takohen me kapitenin Granit Xhaka gjatë ditëve të ardhshme për të diskutuar reagimin e tij të zemëruar pas zëvendësimit në takimin kundër Cristal Palace ditën e diel.
Mesfushori pritet të rikthehet në stërvitje ditën e sotme, përpara sfidës së “Topçinjve” në Kupën e Anglisë kundër Liverpoolit të mërkurën.
Federata Angleze nuk do të marrë asnjë masë disiplinore ndaj tij, pavarësisht gjestit drejtuar tifozëve të vet, të cilët e fërshëllyen në momentin e zëvendësimit.
Në momentin që ai po linte fushën dhe me rezultatin 2-2, Xhaka u kërkoi atyre të duartrokisnin skuadrën, ndërkohë që fërshëllimat kundër tij u shtuan.
I zemëruar, ai u dëgjua t’i shante dhe hoqi fanellën duke iu drejtuar më pas dusheve.
Futbollisti, i cili ka shkaktuar më shumë faulle se çdo lojtar tjetër i Premier Ligës këtë sezon (22), është zëvendësuar në 3 nga 9 ndeshjet e Premier Ligës që ka luajtur këtë sezon.
Ai është kontestuar gjatë gjithë sezonit nga tifozët e vet, të cilët ishin kundër që ai të bëhej kapiteni i skuadrës.
Në këtë moment, “Sky Sports” raporton se nuk dihet nëse Arsenali po mendon që t’ia heqë atij shiritin.
I pyetur pas ndeshjes nëse Xhaka do të mbetet kapiten, trajneri Unai Emeri nuk konfirmoi asgjë: “Tani nuk është koha për të folur për këtë”.
Në rast të një vendimi drastik të klubit, Pierr-Emerik Aubameyang është favoriti për të marrë shiritin e kapitenit.
Kuotat e basteve janë ulur ndjeshëm se sulmuesi gabonez do të jetë kapiten që në ndeshjen e ardhshme të Premier Ligës.
“Xhaka gaboi. Ne duhet të ruajmë qetësinë dhe flasim me të brenda për atë që ndodhi. Ai nuk kishte të drejtë ta bënte atë. Ne po punojmë me klubin dhe lojtarët që janë nën presion. Do të flasim sigurisht me të, sepse reagimi i tij ishte i gabuar. Ne jemi këtu sepse kemi tifozë. Ne punojmë për ta dhe duhet të tregojmë respekt për ta si kur na duartrokasin ashtu edhe kur na kritikojnë”, deklaroi tekniku spanjoll.
Diskutime rreth kësaj post