Deputetët e grupit parlamentar demokrat në Kuvendin e Shqipërisë që erdhën nga listat e PD-së pas dorëheqjes në bllok të mandateve të opozitës së bashkuar, kanë vendosur të largojnë nga drejtimi i grupit Rudina Hajdarin dhe të vendosin në vend të saj, Korab Litën.
Vendimi i papritur, u bë i ditur nga vetë deputeti Korab Lita i cili postoi një foto në rrjetin social Facebook.
Ai e quajti takimin një mbledhje të grupit parlamentar demokrat ku u mor edhe vendimi i rëndësishëm, që argumentohet sipas tij “në funksion të organizimit të brendshëm”
Por nënkryetari i këtij grupi, Halit Valteri akuzoi sot se Lita dhe dy mbështetës të tij as nuk janë dëgjuar të flasin në Parlament.
Në fakt, edhe pse ka hyrë në muajin prill në Kuvend, Lita ka qenë shumë pak aktiv në diskutimet e seancave plenare, ndërkohë që në seancën e fundit pati një përplasje me kryeministrin Edi Rama.
“As të njoh, tani po të shoh për herë të pare”, i drejtohej Rama Litës, i cili pritet të jetë ‘de jure’ kundërshtari i tij në sallën e Parlamentit.
“Me Myslimin mund t’i lejoj vetes të bëj replika, por ty s’të njoh. Pse më ndërhyn?”,- iu drejtua Rama Litës,” tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post