Ndërsa pak ditë na ndajnë nga marrja e përgjigjes përfundimtare për çeljen e negociatave, analisti Fatos Lubonja, përmes një shkrimi, i drejtohet kryeministrit Rama me disa pyetje për të kuptuar më tepër rreth asaj të cilën ai e titullon si “Demagogjia banale e Ramës”, referuar deklaratave të kryeministrit se “fajin e ka Europa”.
“Cilët janë problemet brenda Evropës? Nga çfarë burojnë ato? A kanë ndonjë lidhje me problemet tona? A i rëndojmë ne, me hyrjen në BE, këto probleme apo jo?”, thotë Lubonja në shkrimin e tij.
Sipas Lubonjës, ekzistojnë dy kategori problemesh: ato të Evropës së sistemit dhe ato të Evropës antisistem.
“Europa e sistemit ka sot një nga problemet kryesore faktin që jo të gjitha vendet evropiane rezultojnë njëlloj të suksesshme brenda sistemit. Ka vende si Gjermania që janë shumë më të suksesshme se vende si Greqia apo edhe Italia që kanë probleme me borxhin, evazionin fiskal me të famshmin “spread” etj.. Një kategori tjetër problemesh janë ato që i gjen në argumentet antisistem të sovranistëve, sipas të cilëve, globalizmi dhe neoliberizmi i Europës së sistemit ka krijuar një polarizim të paparë midis një pakice që dikton politikat dhe një shumice që i pëson këto politika.”, shpjegon më tej analisti.
Teksa thotë se ndeshja midis këtyre dy Europave po bëhet gjithnjë edhe më e ashpër, sipas Lubonjës, Shqipëria përbën një problem për të dyja këto Evropa për shkak të problemeve që ajo ka nga ana ekonomike, me demokracinë, gjë e cila po i jep udhë një autorizmi të theksuar dhe favorizon emigracionin.
Analisti shprehet se pas emigracionit, një pjesë e të rinjëve që emigrojnë nuk integrohen dhe përshtaten në shoqëri, por merren me krim dhe pikërisht të ndodhur përballë këtij problemi në rritje “Evropa e sistemit ndjen nevojën të mbrohet nga ofensiva antisistem, në këtë mënyrë mbrojtja është shtyrja e negociatave.”
“I vetmi shans që ka Shqipëria që t’i hapen negociatat, është pikërisht ndeshja e Evropës së sistemit me atë të antisistemit. Ndërkohë që Evropa e sistemit është e gatshme ta pranojë Shqipërinë për të mbajtur gjallë narrativen e projektit evropian si dhe për ta përfshirë në fushën e influencës së vet Ballkanin perëndimor (edhe si treg e vend investimesh), Evropa antisistem do të mbyllte dyert përfundimisht për Shqipërinë, pasi ajo kërkon të ndërtojë një narrativë tjetër.”, përfundon shkrimin e tij analisti Fatos Lubonja./CNA
Diskutime rreth kësaj post