Avokati Spartak Ngjela akuzon presidentin Ilir Meta se i është kundërvënë reformës në drejtësi me forcë.
Sipas tij Meta ka pritur djegien, domethënë destabilizimin e Shqipërisë, ngaqë vetë rrezikohet nga Reforma në Drejtësi kur të fillojë procesi antikorrupsion.
Ngjela shkruan:
Çoroditja e Metës, vazhdon ta kthejë mbrojtjen e tij në fajësi.
Meta deklaroi se “Parlamenti nuk është i plotë… kjo është krizë përfaqësimi”.
Jo, zoti Meta, kjo nuk është krizë përfaqësimi, është sakrificë në përfaqësim, për të ndëshkuar të korruptuarit.
Largimi i deputetëve PD dhe LSI, dhe futja në Parlament e deputetëve zëvendësues me arsye krejt e krejt ligjore nuk dha krizë, por sukses për Reformën në Drejtësi. Ky ishte sukses historik, sepse sot shqiptarët janë mu në prag të shpëtimit: në Shqipëri tani posa ka filluar antikorrupsioni si proces.
Meta tha gjithashtu që “jam shtyrë për të zhvendosur me dekret datën e zgjedhjeve të dekretuara, sepse kisha të dhëna se do të digjej Parlamenti “.
Nuk është profesionist prandaj gënjen, duke rënduar veten.
Për këtë rast, pyetjet enigmë janë këto:
Po mirë, ky President, nuk ka qenë fare në gjendje ta ndalonte djegien e mundshme të Parlamentit me forcën e shtetit?
Po mirë, nuk mundej ky President të lajmëronte kryeministrin e ti kërkonte atij shpalljen e masave drastike: nga ndalimi i protestës e deri te vendosja e pjesëshme e gjendjes së jashtëzakonshme?
Pse nuk ka bërë Meta asnjë nga këto?
Sepse ka pritur djegien, domethënë destabilizimin e Shqipërisë, ngaqë vetë rrezikohet nga Reforma në Drejtësi kur të fillojë procesi antikorrupsion. Domethënë, Meta është kundër reformës?
Sigurisht. Këtu ka qenë e gjithë loja e tij antikombëtare.
Diskutime rreth kësaj post