Emigrantët shqiptarë në Italia kanë nisur një peticion on-line ku i kërkojnë qeverisë italiane që të njohë kontributet për efekt pensioni. Në peticion evidentohet se Italia ka nënshkruar marrëveshje të dyanshme në fushën e sigurisë sociale me shtete të ndryshme.
Këto marrëveshje i mundësojnë personave që vijnë nga jashtë që të punojnë dhe të marrin përfitime njësoj si qytetarët e shtetit pritës, mes të cilave edhe pensionin.
“Mes marrëveshjeve, për fat të keq mungon Shqipëria. Në Itali komuniteti shqiptar është i integruar mirë dhe pjesë e strukturës sociale dhe prodhuese. Komuniteti numëron 430 mijë persona, mes të cilëve 70 % ka një leje qendrimi afatgjatë. Qytetarët shqiptarë po ndërtojnë në itali të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, duke punuar këtu prej thuajse 30 vitesh, mbi të gjitha në ndërtim e bujqësi.
Dhe sot, një pjesë në rritje e tyre po vuan faktin se mesShqipërisë dhe Italisë nuk ekziston asnjë marrëveshje për njohjen e ndërsjelltë të kontributeve të pensioneve. Punëtorët shqiptarë në Itali që janë në prag pensioni kanë derdhur kontribute si në Shqipëri (para se të emigronin) ashtu edhe në Itali.
Mungesa e një marrëveshje mes dy shteteve nuk u lejon atyre që të dalin në pension si në vendin e tyre të origjinës ashtu edhe në atë të emigrimit, duke penalizuar kështu fashën e popullatës që ka sakrifikuar më shumë për këtë integrim që i mundëson sot të rinjve italo-shqiptarë që të jenë kaq të integruar në Itali” shkruhet në tekstin që shoqëron peticionin në change.org.
Më tej, në tekstin e peticionit evidentohet se pala shqiptare ka dëshmuar vullnet për të arritur në një marrëveshje.
Në fund, peticioni mbyllet me thirrjen drejtuar kryeministrit italian Giuseppe Conte që të negociohet dhe të miratohet me procedurë të përshpejtuar marrëveshja Itali-Shqipëri që u garanton punonjësve të të dy vendeve, njohjen e një të drejte themelore: pensionit.
Peticioni kërkon 5 mijë nënshkrime e deri më tani janë realizuar më shumë se 3 mijë e 800 të tilla.
Diskutime rreth kësaj post