Kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë Prof. Dr. Ali Erbaş, ka deklaruar se “Islami është fe e paqes që mbron dhe përpiqet të mbajë gjallë të njëjtat vlera universale në të gjithë botën”, raporton Anadolu Agency (AA).
Erbaş ka mbajtur një fjalim në “Takimin e 2-të të muslimanëve të Evropës” i zhvilluar në Qendrën e përgjithshme të Bashkësisë Islame Turke për Çështje Fetare (DİTİB) në qytetin e Këlnit të Gjermanisë. Me këtë rast ai ka thënë se duke injoruar praninë e muslimanëve është e pamundur të flitet për të ardhmen e Evropës.
“Në të njëjtën mënyrë edhe e ardhmja e muslimanëve në Evropë nuk mund të diskutohet e pavarur plotësisht nga bota islame. Çështjet e tilla si bashkëjetesa, një e ardhme më e mirë, të drejta të barabarta dhe drejtësi janë çështjet kryesore që kanë të bëjnë me të gjithë ata që jetojnë në tokë. Ne shohim dhe e përjetojmë se islamofobia, me fjalë të tjera kundërshtia ndaj islamit, ka filluar të fitojë një dimension aktual duke u kthyer në një armiqësi ndaj Islamit. Në vitet e fundit, rrjedhat e lëvizjeve racore në Evropë, retorikat dhe veprimet anti-islame kërcënojnë multikulturalizmin e Evropës, ligjin e bashkëjetesës, paqen dhe qetësinë”, tha Erbaş.
Lidhur me racizmin dhe islamofobinë në rritje në Evropë, Erbaş tha se racizmi i cili herë-herë arrin në përmasa shqetësuese, përjashtimi social, tjetërsimi, armiqësia ndaj të huajve, sulmet ndaj xhamive dhe mesxhideve apo retorika dhe praktika të bazuara në diskriminim, janë veprime që injorojnë dinjitetin dhe jetën e njeriut, kufizojnë veprimet dhe fushat e lirisë si dhe dëmtojnë vlerat morale dhe të ndërgjegjes duke bërë jofunkisonale edhe institucionet sociale dhe kulturore.
Sipas tij, multikulturalizmi dhe e drejta e bashkëjetesës është një kusht për shoqëritë dhe vendet demokratike duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe të drejtat në mënyrë të vërtetë.
“Për këtë, të gjitha qasjet dhe praktikat që i shpërfillin të drejtat dhe liritë duhet të refuzohen, pavarësisht se kush ose çfarë është autori dhe për të parandaluar të gjitha llojet e dhunës në veçanti kundër lirisë së besimit dhe adhurimit, duhet të konsiderohet si një përgjegjësi pa përjashtim për të gjitha shtetet, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Islami është një fe e paqes që mbron dhe përpiqet të mbajë gjallë të njëjtat vlera universale në të gjithë botën”, thotë Erbaş për të shtuar më tej:
“Prandaj, është e panevojshme dhe e kotë të flitet për Islamin me atribute gjeografike ose kulturore siç janë Islami evropian, Islami francez dhe Islami i moderuar. Në vend të kësaj qasja më e drejtë është mbështetja e përpjekjeve dhe i punimeve në drejtimin që Islami të kuptohet drejtë dhe t’i shtojë edhe më shumë vlera dhe bukuri jetës”.
Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadori i Turqisë në Berlin, Ali Kemal Aydın si dhe përfaqësues dhe dijetarë fetarë nga vende të ndryshme të botës.
Diskutime rreth kësaj post