Në Kosovë vijon debati mbi ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit, ku, midis të tjerëve, mori pjesë edhe ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton. Liderët e Shqipërisë, Edi Rama dhe Ilir Meta ishin gjithashtu të pranishëm, por ajo që u vu re më 12 qershor ishte fakti që kryeministrit dhe presidentit të Shqipërisë nuk iu dha fjala në ceremoni.
Gabim të madh e konsideroi Blerim Latifi, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, vendimin e organizatorëve për të mos i dhënë fjalën Ramës dhe metës.
“Gabim i madh që nuk iu dha fjala presidentit ose kryeministrit të Shqipërisë në manifestimin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës! Ne po harrojmë se pa Shqipërinë asnjë plumb s’do të kishim mundur ta shkrepim, e lëre ma të organizojmë luftën e armatosur kundër Serbisë! A thua kur do të mësohemi që shtetin dhe kombin t’i mbajmë mbi dashuritë dhe urrejtjet e politikave ditore?”,- shkruan Latifi.
Media ‘Kallxo.com’ ka kontaktuar me zëdhënësen e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, por ajo nuk ka preferuar të komentojë mbi këtë çështje, duke deklaruar se duhet të pyeten drejtuesit e Këshillit Organizativ që u morën me ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit. Në krye të këshillit ishte Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës.
Mediat në Kosovë raportojnë edhe për një pakënaqësi të kryeministrit Rama për vendin ku ishte caktuar të qëndronte gjatë ceremonisë./tch
Diskutime rreth kësaj post