Portali amerikan “Citizen Truth”, i ka kushtuar një tjetër artikull situatës në Shqipëri duke u ndalur konkretisht tek kryeministri Edi Rama. Autore e shkrimit është Dr.Francesca Norton, analiste politike, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe autore e shumë artikujve dhe analizave në median ndërkombëtare. Me një titull të fortë, “Edi Rama, kryeministri pa zemër për popullin e tij”, Norton paraqet në analizën e saj se çfarë ka ndodhur në vend që nga protestat e opozitës, tek apelet e ndërkombëtarëve, këmbënguljen e kryeministrit për të bërë zgjedhje pa opozitën, vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kërcënimin e kreut të qeverisë për ta shkarkuar.
Dr. Francesca Norton
Teksa kriza politike në Shqipëri përshkallëzohet, një protestë tjetër u mbajt gjatë fundjavës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Dhe ishte protesta më e madhe që nga rënia e Komunizmit, tridhjetë vite më parë.
Kriza politike shqiptare arriti kulmin pasi gazeta gjermane Bild, një nga gazetat më të rëndësishme dhe më të lexuara në Evropë, botoi gjashtë biseda telefonike përgjimesh midis një bosi mafioz, një anëtari të një organizate kriminale ndërkombëtare dhe zyrtarëve të qeverisë shqiptare në rajonin e Durrësit në Shqipëri.
Në këto përgjime, kryeministri Edi Rama, kryetari i bashkisë Vangjush Dako dhe shumë të tjerë përmenden dhe përfshihen qartë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017. Në një demokraci të vërtetë, apo në ndonjë vend tjetër perëndimor, kryeministri do të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë. Me sa duket jo në Shqipëri ku etja për pushtet tejkalon çdo kufi.
BE dhe delegacionet e tjera diplomatike në Shqipëri, duke iu frikësuar faktit se protesta mund të kthehej e dhunshme lëshuan një deklaratë në të cilën thuhej se “çdo formë e nxitjes së dhunës është e patolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve apo çdo mjeti tjetër i projektuar për të shkaktuar dëm është tërësisht i papranueshëm”. Në fund të deklaratës së tyre ata i apeluan “të gjitha palëve të përfshihen urgjentisht në një dialog konstruktiv për t’i dhënë zgjidhje situatës aktuale politike.”
Por, pavarësisht nga apeli i faktorëve ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama vazhdoi të këmbëngulte për mbajtjen e zgjedhjeve me 30 qershor edhe pa opozitën, dhe nga ana tjetër opozita vazhdoi të kërkonte dorëheqjen e tij duke u shprehur se nuk do dorëzoheshin deri në përmbushjen e këtij misioni. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, këmbënguli duke u shprehur se “beteja jonë do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës. Largimi i tij është i panegociueshëm”. Basha e ka paralajmëruar vazhdimisht kryeministrin se një krizë e tillë mund të përshkallëzohet në një konflikt civil, por Rama është përgjigjur duke përdorur më shumë provokime.
Situata përpara protestës ishte shumë kritike. Të dyja palët nuk po toleronin dhe nuk ishin të gatshme për dialog për zgjidhjen e krizës. Brenda pak orëve Shqipëria mund të rrezikonte një luftë civile. Por pak përpara fillimit të protestës, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një vendimi shumë kurajoz dhe të drejtë vendosi të anulonte dekretin për ditën e zgjedhjeve për shkak se kjo krizë cenonte shanset e hapjes së bisedimeve për negociatat me Bashkimin Evropian.
Me mijëra protestues u gëzuan me vendimin e presidentit dhe shqiptarët panë një dritë jeshile shprese për zgjidhjen e asaj situate të rrezikshme. Media botërore i bëri jehonë këtij vendimi dhe vendi dukej i qetë, por protagonisti dhe autori i krizës, kryeministri Edi Rama, ende vazhdoi t’i shtonte benzinë zjarrit tashmë me flakë të mëdha, duke këmbëngulur se pavarësisht anulimit të dekretit nga presidenti dhe dëshirës së opozitës, ai dhe partia e tij janë të vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet me 30 qershor, të vetëm, pa pjesëmarrjen e opozitës, e madje kërcënoi presidentit me largim nga detyra. “Nuk keni parë gjë akoma,” shtoi ai.
Një qëndrim i tillë politik i paprecedentë dhe plot kokëfortësi është shumë i rrezikshëm për mirëqenien e popullit, Shqipërinë dhe integrimit te saj në BE. Një kryeministër i cili nuk është i gatshëm të ndërmarrë ndonjë hap në zgjidhjen e krizës, por duke kontribuar në përkeqësimin e saj është shumë arkaike dhe diktatoriale. Shqiptarët dhe udhëheqësit rajonalë janë alarmuar për shkak të efekteve të gjera të një konflikti të tillë dhe shumë figura të rëndësishme kanë apeluar shpesh se ndarja e vazhdueshme politike kërcënon aspiratën e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE, por përkundër këtyre thirrjeve, Edi Rama duket i përkushtuar të vazhdojë të ulet në karrigen e tij të kryeministrore me çdo kusht, me Shqipërinë jashtë BE-së, me vendin në një konflikt civil që mund të shkojë deri në një luftë civile.
Edi Rama është autori i një krize të tillë dhe njëkohësisht edhe zgjidhja për shmangien e një konflikti civil. Një reflektim nga ana e tij dhe ndryshimi i çdo qëndrimi politik nuk mund ta bëjnë atë një hero, por mund të ndihmojë në parandalimin e kaosit dhe gjakderdhjes. Shqipëria është në zemër të Evropës, por për fat të keq për popullin e saj ajo ka një kryeministër pa zemër për popullin e tij. /Citizentruth
Diskutime rreth kësaj post