Zhvendojsa në Zvicër është një vendim i rëndësishëm. Ju mbase mund të dëshironi të shpërnguleni në një vend të ri, por jeni të brengosur rreth dallimeve në kulturë dhe në përgjithësi.
Prandaj është shumë e rëndësishme të hulumtoni mirë rreth një vendi dhe traditave të tij, para se të shpërnguleni aty. Në këtë mënyrë, ju mund të keni një ‘pasqyrë’ të atij vendi dhe të personave që jetojnë aty.
Këto janë dhjetë arsye pse shpërngulja apo jetesa në Zvicër do të ishte në dobinë tuaj.
Mundësitë për punësim – Arsyeja kryesore pse njerëzit vendosin të dalin jashtë vendit, është kryesisht puna. Njerëzit mund të kenë nevojë të vendosen në zyrën e një vendi të ri apo thjesht kërkojnë perspektiva më të mira për punën e tyre. Dhe Zvicra është mjaft tërheqëse nëse po kërkon të kyçesh më tej në tregun e punës, ndërsa rrogat mund të jenë dyfish apo edhe trefish më të mëdha se në disa vende të Europës, madje për të njëjtën pozitë pune. Ata që jetojnë në Gjenevë dhe Cyrih, konsiderohet të kenë të ardhurat më të larta në botë, kryesisht njerëzit që punojnë në sektorët si financa, banka dhe sigurime.
Arsimimi – Zvicra krenohet për një nga sistemet e arsimit më të mirë në botë. Nëse po emigroni në Zvicër me familje, aty ka një sërë shkollash publike, ndërkombëtare, madje edhe angleze për fëmijët tuaj. Janë 12 universitete dhe shtatë institucione të arsimit të lartë të shkencave të aplikuara, brenda rajoneve të ndryshme të Zvicrës.
Kujdesi shëndetësor – Jetëgjatësia është shumë e lartë, 79 vjet për burrat dhe 84 për gratë, dhe kjo tregon se kanë një system cilësor të kujdesit shëndetësor, transmeton Albinfo. Kur të zhvendoseni në Zvicër, është e obligueshme që të merrni sigurim shëndetësor brenda tre muajve, por për këto shpenzime, ju do të përfitoni standarte të shkëlqyera, pritje më të shkurta dhe nivel më të lartë të kujdesit.
Mjedisi – Peizazhi në Zvicër ka shumë gjëra për t’iu ofruar atyre që vendosin në jetojnë në vendin alpin, është i famshëm për malet madhështore dhe liqenet e qeta. Temperatura ndryshon varësisht prej vendit, por kryesisht pritet të jetë më e ngrohtë në jug dhe më e ftohtë në veri. Verërat (stina) kryesisht janë mesdhetare dhe temperaturat mund të arrijnë deri në 30 gradë Celsius gjatë muajve korrik dhe gusht. Ndërkaq, janari dhe shkurti janë muajt më të ftohtë.
Sporti – Nëse je person aktiv dhe të pëlqejnë sportet, atëherë Zvicra është vendi i duhur për ty. Zviceranët janë të njohur për sportet në natyrë, sidomos gjatë dimrit, si skijimi, alpinizmi e sporte të tjera tradicionale që praktikohen nga të gjithë. Zvicra tërheq më shumë se tetë milionë turistë të huaj çdo vit, shumica e të cilëve kryesisht joshen nga vendpushimet e famshme të skijimit, Verbier dhe Zermatt.
Diversiteti – Zvicra është e njohur si vend i hapur për të huajt, me ç’rast më shumë se 20 për qind e popullsisë përbëhet nga punëtorët e huaj dhe të përkohshëm. Në Zvicër po ashtu janë katër gjuhë zyrtare, përfshirë këtu gjermanishten, frëngjishten, italishten dhe gjuha romake (me rrënjë latine). Meqë edhe gjuha angleze është mjaft e përhapur, mundësitë janë të shumta edhe për punëtorët që flasin anglisht. Megjithatë, ia vlen të provoni të mësoni ndonjë nga gjuhët lokale, në mënyrë që të përshtateni më shumë me jetën e re.
Siguria – Jeta në Zvicër është e qetë dhe ky vend shpesh renditet ndër vendet më të sigurta në Europë, për të jetuar dhe për të krijuar familje. Krimi i dhunshëm është i rrallë, megjithëse mund të jetë shumë pak aktiv në zonat turistike më të njohura. Nëse keni ndonjë emergjencë gjatë qëndrimit në Zvicër, telefononi në 117.
Qëndrueshmëria – Zvicra nuk është vetëm vend i sigurt, po ashtu është shtëpia e një prej demokracive më të qëndrueshme në botë. Gjatë rënies ekonomike të fundit, Zvicra mbeti e padëmtuar, duke u bërë kështu një strehë e sigurtë për investitorët, dhe me një ekonomi që ka papunësi shumë të ulët.
Pastërtia – Nga raportet për Performancën e Mjedisit, Zvicra ka kryesuar listën si vendi më i pastër në botë. Ky vend ka reputacion për standartet e pastërtisë dhe higjienës, po ashtu kujdesit ndaj mjedisit. Dhe kjo, sigurisht ka rëndësi për ata që duan të jetojnë në një vend që është i vetëdijshëm për rëndësinë e mjedisit.
Familja – Shumë njerëz zgjedhin të jetojnë në Zvicër për t’i ofruar familjeve të tyre një cilësi më të lartë të jetesës. Shumë britanikë që vendosen në Zvicër, ndihen më të sigurt për fëmijët e tyre dhe për përparësitë që do t’iu ofrohen atyre në të ardhmen.
Diskutime rreth kësaj post