Partia Socialiste do mbledhë pasditen e sotme kryesinë për të vendosur se cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në orën 18:00 pritet të nisë mbledhja e forumit vendimmarrës ku do të shqyrtohen të gjitha propozimet të listës së 61 kandidatëve për kryebashkiakë. Mësohet se kupola rozë do të shqyrtojë kandidaturat qark pas qarku për të mbërritur në vendimin final.
Burime pranë PS-së thanë për “News24”, se një pjesë e listës së kandidatëve është mbyllur dhe pret vetëm vulën përfundimtare nga lidershipi i partisë. Po ashtu, burimet bëjnë me dije se parashikohet që mbi 20 kryebashkiakë aktualë të rikandidojnë.
Ndërkohë në garën e 30 qershorit socialistët do të kandidojë me dy prefektët në detyrë në bashkitë e Elbasanit dhe Shkodrës, përkatësisht Gledian Llatja dhe Valdrin Pjetri. Socialistët kanë vendosur që në përballjen elektorale t’u besojnë kandidimin 6 deputetëve, të cilët pas zyrtarizimit ligjor do të duhet të dorëzojnë mandatin e ligjvënësit.
Kryesia e PS-së mësohet se do të pasohet me mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, që mendohet të zhvillohet të premten më datë 10 Maj. PS shqyrton kandidaturat e saj pak ditë para afatit ligjor, 13 Maj, të depozitimit të listave pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Socialiste është e përqendruar në zgjedhjet lokale, pavarësisht se partitë kryesore opozitare nuk do të jenë pjesë e garës politike, pasi nuk janë regjistruar në KQZ dhe kanë deklaruar se do pamundësojnë zgjedhjet.
Diskutime rreth kësaj post