Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë nisur një betejë të fortë mes tyre, sa i takon dominimit në Ballkan Perëndimor. Ditën e djeshme në Gjermani u mbajt Samiti i Berlinit, ku kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron pritën në një takim përfaqësues të Kosovës, Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i vërtetë i këtij takimi ishte ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi. Teksa SHBA po mbështet tezën që të rishikohen kufijtë, Merkel ka tentuar të marrë në dorë situatën, duke treguar se është kundër korrigjimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Gjatë një konferencë për mediat se bashku me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron pas samitit, kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se zgjidhja definitive mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të cenojë vendet e tjera të rajonit. “Jemi mbledhur këtu për situatën ku ndodhet vende të caktuar dhe për të evidentuar aspektet ku mund të bëhen përmirësime. Kemi thirrur një konferencë të përbashkët. Ne do të shohim kush janë çështjet, ku ne mund të ndërhyjmë për të bërë progres në këtë aspekt. Ne folëm për dialogun Kosovë- Serbi, por zgjidhja nuk duhet të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”, deklaroi Merkel. Ndërsa nga ana e tij, presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjithashtu porositi që në kuadër të samitit të diskutohet hapur për të gjitha opsionet që janë në tryezë sa i përket Serbisë dhe Kosovës. “Kemi dëshirë dhe shpresojmë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ne nuk duam të imponojmë ndonjë marrëveshje, por duhet të shmangim tensionet e reja në tavolinë, pasi duam që të dy palët të rifillojnë dialogun. Sfida e dytë që kemi është që të punojmë bashkë për stabilitetin në rajon. Këtu nuk bëhet fjalë për procesin e zgjerimit, por stabilitet në rajon dhe kjo do të thotë që Franca do të angazhohet më shumë”, u shpreh Macron. Ndërkohë që, sot pritet të mbahet një samit i posaçëm për këtë çështje, duke treguar edhe njëherë vendosmërinë e Gjermanisë se është kundër SHBA për kufijtë Kosovë-Serbi.
Reagon Thaçi
Samitin e Berlinit ditën e djeshme e komentoi edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë një prononcimi për mediat, Thaçi u shpreh dje i prerë se nuk e negocion çështjen e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse sipas tij, nuk janë të pranishëm përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Së pari vlerësoj angazhimin shtesë të kancelares Merkel, por edhe të presidentit Macron, për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, por edhe për çështjen e Kosovës. Relacionin Kosovës dhe Serbisë, mundësinë për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve. Por gjithashtu theksoi se nuk pres ndonjë mrekulli, do të jetë një takim rutinë. Nuk do të ketë as dialog, e as negociata, e jo më marrëveshje. Negociata dhe marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur SHBA janë prezente dhe udhëheqin procesin”, deklaroi ai. Më tej, Thaçi përsërit edhe njëherë qëndrimin e tij, duke theksuar se korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri. “Kosova është një vend i pavarur dhe sovran, e kemi obligim respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve dhe çdo angazhim që do ta kemi do ta kemi si vende sovrane me pozicione shumë të qarta. Unë mbroj pozicionin e korrigjimit të padrejtësive që Presheva, Medvegja, Bujanovci, t’i bashkohen Kosovës”, nënvizoi Thaçi. Pra duket se qëllimi i Samitit ishte që Berlini të marrë situatën në dorë në Ballkan dhe të mos lejojë ndërhyrjen e amerikanëve. Vetë SHBA ka gati një projekt për ndryshimin e kufijve, të publikuar dhe nga gazeta, por Gjermania është tërësisht kundër.
Diskutime rreth kësaj post