Shqiptari Shpëtim Qelia dhe tre shokë të tij shqiptarë u përfshinë në një sherr me shoferin e një makine private me qira, duke hyrë brenda saj dhe duke e sulmuar me shkopinj druri.
Shoferi i makinës private arriti të largohej nga sulmi, por katër burrat shqiptarë e ndoqën atë me një Ford Focus nëpërmjet qendrës së qytetit Middlesbrough. Incidenti ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit.
Shoferi i makinës me qira u përpoq me dëshpërim të shkonte në stacionin e policisë, para se burrat ta kapnin.
Ndërsa ai ngadalësoi për të negociuar në një kryqëzim, shoferi i “Focus” e nxori nga rruga duke e përplasur për një mur (siç shihet edhe në foto poshtë). Vetë shqiptari u përplas me një pemë, duke mbetur pa ndjenja.
Në Gjykatën e Teesside u tha dje se piktori 37-vjeçar u braktis nga pasagjerët e tij dhe kishte nevojë për operacion urgjent për t’i shpëtuar jetën pasi kishte thyerje të aortës.
Shoferi i makinës me qira kishte dhimbje të forta në gju, ndërsa një xham i ishte ngulur në kokë pas thyerjes së dritares së mjetit.
Një pasagjer pësoi dëme të indeve të buta në bark, këmbë dhe në kyçe.
Në Gjykatë u tha se Qelia nuk e kishte marrë patentën dhe kur kishte udhëtuar me makinë nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Policia konfirmoi se gjetën brenda mjetit pjesë të drurit, një sëpatë, dhe dokumente të rreme identiteti italiane.
Siç raportojnë mediat lokale britanike, Qelia, pa adresë fikse, u burgos për tre vjet e gjysmë pasi ai pranoi dy akuza për shkaktimin e lëndimit të rëndë nga drejtimi i rrezikshëm i automjetit dhe dokumente të rreme identifikimi.
Avokati i tij Nigel Soppitt tha se shqiptari kishte ardhur në Britani të Madhe në një kamion dhjetë javë përpara incidentit të 19 shkurtit të këtij viti, për të punuar që të siguronte para për dasmën.
“Plagët që ai shkaktoi ishin, natyrisht, shumë të rënda. Lëndimet e tij, të shkaktuara nga vetë ai duhet të pranojnë, ishin gjithashtu të rënda. Ai ishte pak momente larg vdekjes”.
Gjykatësi Simon Bourne-Arton, QC, tha se: “Është shumë e qartë se keni qenë pjesë e një plani për të shkaktuar një aksident. Ky është një rast i keq”.
Diskutime rreth kësaj post