Presidenti Ilir Meta e ka treguar hapur dje se është në panik nga reforma në drejtësi dhe marrja e saj në dorë nga amerikanët. Teksa për muaj me radhë është treguar i rezervuar mbi mënyrën si po ecën vetingu dhe ngritja e organeve të reja të drejtësisë, dje presidenti tregoi hapur se nuk po e mirëpret reformën. Gjatë një interviste në “RTSH” përballë gazetarit Lutfi Dervishi, Meta sulmoi ashpër të gjithë procesin e reformës. “U bë reforma në drejtësi, arritje e madhe. U votua me 140 vota, arritje e madhe. Vijmë te zbatimi i kësaj arritje: Është i njëanshëm. Faktet janë të qarta. Është një zbatim nga i cili kemi vuajtur gjithmonë, se ligjet i kemi të mira dhe vuajmë te zbatimi. Nëse ky proces vijon në këtë rrugë, ku të gjithë u investuan me vendosmërinë se do instalohen institucione që nuk do ndikohen nga politika dhe do garantojnë elementë të caktuar të demokracisë, që nga llogaridhënia, ndëshkueshmëria, goditja e abuzimit, korrupsionit, etj. Dhe nëse shohim janë dy vite e ca që zbatimi ka qenë tërësisht i njëanshëm. Po ecet drejt emrave dhe jo standardeve. Standardeve kushtetuese dhe paketës së 7 ligjeve të reformës në drejtësi”, tha ai. E çuditshmja është se Ilir Meta, kur ishte kryetar Kuvendi akuzonte George Soros se fshihej ai pas reformës në drejtësi. Por dje sulmoi reformën duke u bazuar te raportet e organizatave të Soros. “Shoqëria civile ka bërë një reagim që duhet të marrë seriozisht siç ishte Komiteti i Helsinkit dhe Shoqëria e Hapur (Sorosi) që tregonte shqetësimet serioze për reformën në drejtësi, për vetingun dhe krijimin e institucioneve të reja”, tha ai.
Meta në sulm ndaj ambasadorëve
Presidenti tregoi dje se është i frikësuar dhe nga lëvizjet e ndërkombëtarëve. SHBA dhe BE kanë marrë në dorë reformën në drejtësi dhe po ashtu po mbështesin shkrirjen e LSI. Kjo ka alarmuar kreun e shtetit, i cili shpërtheu dje në akuza. Presidenti tregoi se nuk ka aspak marrëdhënie të mira me amerikanët. Ai sulmoi ish-ambasadorin Donald Lu për sherrin që ndodhi me Adriatik Llallën për shortin e KED. “Kur u hodh shorti për KED, zoti Rama doli e tha se këta nuk janë emrat që do reformojnë drejtësinë. Pastaj na doli dhe një përfaqësues ndërkombëtar (Donald Lu) që doli kundër dhe doli se ishte dezinformuar nga përfaqësues të PS. Nëse do kishte shqetësime kryeministri, mund të ishte shtyrë mbledhja dhe ishin bërë verifikimet e duhura. Nuk mund të pranoj një ndërkombëtar të papërgjegjshëm të thotë se s’ka problem për mungesën e Kushtetueses. Ore ku flasin këta kështu. Nuk mund të ketë vend pa Gjykatë Kushtetuese”, tha ai. Por sulmet e tij ndaj ndërkombëtarëve nuk u ndalën me kaq. Kjo pasi Meta deklaroi se ka ardhur koha që vendi të ecë sipas ligjeve të tij dhe të mos bazohet te ndërkombëtarët. “Unë jam president i Shqipërisë, jo president ambasadash dhe nuk fshihem pas ambasadave. Unë të vërtetës i them të vërtetë dhe ky vend duhet të shohë Kushtetutën e tij. Nëse një ambasador del e thotë se Gjykata Kushtetuese ka aftësi korrektuese, po pse korrektorë janë ata. Ata janë Kushtetuta e Shqipërisë në vendimmarrje. Ne ja u kemi lejuar të ndërhyjë dhe ata për shkak se familjarizohen, bëjnë qëndrime të tilla dhe më shumë sesa ndihmojnë, përkeqësojnë situatën. Komisionerit Danielsson i kam kërkuar se nuk vijohet kështu dhe i kërkova që KE të sjellë mision nga Brukseli për të monitoruar procesin”, tha Meta, duke treguar qartë se kush është shkaku i krizës politike dhe frika më e madhe e presidentit dhe e PD-LSI.
Diskutime rreth kësaj post