Në studion e emisionit “Top Talk”, këtë të martë, gazetari Denis Dyrnjaja pati të ftuar Ralf Gjonin, një ndër deputetët më aktivë të opozitës së re të Parlamentit të vjetër, që duhet të mbyllë mandatin në vitin 2021.
Ralf Gjoni u bë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë nga lista e LSI-së, por duket se nuk pranon të etiketohet si pjesë e “opozitës së re”, teksa thotë se “jemi deputetë të rinj të opozitës së Kuvendit të Shqipërisë”.
Ai foli fillimisht për marrëdhëniet me partinë politike që e kishte përfshirë në listat e saj për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të 2017-s, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Nuk është se kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me Kryesinë e LSI-së, por kam bërë disa herë ftesë në daljet e mia publike dhe përmes angazhimit tim në Kuvend për uljen në tryezën e bisedimeve për sistemin zgjedhor, si të LSI-së ashtu dhe të Partisë Demokratike, sepse në fund të fundit janë parti politike që përfaqësojnë një pjesë të madhe të elektoratit. Ndërsa ne jemi deputetë të Kuvendit që kemi dalë nga listat shumemërore të këtyre partive respektive”, është shprehur Gjoni.
Deputeti i LSI-së tha më tej se ka marrëdhënie me eksponentë të caktuar, me anëtarësinë dhe aktivistë të LSI-së në terren, që sipas tij janë treguar të surprizuar nga aksioni i tyre konstruktiv dhe pozitiv parlamentar.
Por çfarë po ndodh me opozitën në Parlament, duke qenë se aty spikasin vetëm dy elementë, ndërsa të tjerët janë ende të paambientuar?
“Ne jemi në një terren të paprekur më parë, jo vetëm juridik por edhe politik. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që deputetët opozitarë të braktisin në masë mandatet dhe karriget e tyre në Parlament. Edhe ne që kemi hyrë jemi gjendur përpara këtij fakti, nga një vendim i habitshëm e ndoshta i menjëhershëm i këtyre partive për t’i nxjerrë deputetët e tyre jashtë Kuvendit”, tha ai.
Deputeti i ri nga LSI-ja, Ralf Gjoni theksoi gjithashtu se njerëzit nuk duhet të presin nga opozita e re, “e pakonstituuar ende në numra, që të jetë superaktive dhe të bëjë ndonjë çudi”.
Gjoni përmendi se gjatë këtyre 3-4 javëve të para ka pasur jo vetmë nisma e propozime sa i përket Komisionit të Reformës Zgjedhore apo sistemit zgjedhor, por edhe me kërkesën për interpelancë ndaj ministrit të Brendshëm, që do të zhvillohet këtë të enjte.
“Të gjithë ne si opozitë aty brenda u kemi treguar shqiptarëve se jemi në gjendje të ofrojmë një standard tjetër të jetës parlamentare dhe aktivitetit në Kuvend, në krahasim me atë që është parë deri më sot nga të gjitha partitë politike që kanë marrë pjesë në jetën parlamentare, përfshi edhe PS-në e opozitës së hershme”, tha Gjoni.
Diskutime rreth kësaj post