Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka deklaruar se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon të jetë po ai i ish-Jugosllavisë dhe duhet punuar për ta shndërruar këtë kufi të shqiptarëve.
Majko këto deklarata i bëri sot nga Kukësi teksa ka marrë pjesë në përkujtim të 20 vjetorit të eksodit të kosovarëve, kohë edhe kur ka qenë kryeministër.
Bashkë me Majkon ishte edhe kryetari demokrat i Kukësit, Bashkim Shehu.
“Kosova dhe Shqipëria ndihen më mirë, por ne duam të jetë më mirë. Jemi shqiptarë dhe dy kufij këtu. Është kufiri i ish- Jugosllavisë. Duhet ta bëjmë të Kosovës dhe Shqipërisë, i cili do të bëhet shumë shpejt”, tha Majko.
Teksa kaloi në këmbë kufirin, Majko shtoi më tej: “Është kënaqësi, pas 20 vitesh flet vetë gjithçka. Çfarë ka ndodhur, si kujtohet, çfarë ka ndryshuar dhe arsyeja pse jemi këtu të gjithë bashkë”.
Ndërsa kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, u shpreh se Kukësi ndihet prapë i nderuar pas 20 vitesh.
“Këto ditë duhet t’i kujtojmë për mirë, për bashkim, për gjithçka”, tha ai.
Në kujtim të eksodit të vitit ’99, Bashkia dhe Këshilli i Qarkut të Kukësit në bashkëpunim me Shoqatën Eksod 99 si çdo vit bënë pritjen simbolike të kosovarëve në Morinë.
Kujtojmë se në vitin 1999 Kukësi u kthye në portën e shpëtimit për mbi 1 milion shqiptarët e Kosovëstë cilët u dhunuan nga terrori serb.
Diskutime rreth kësaj post