Java nis me jehonën dhe reagimet e protestës së opozitës që u zhvillua mbrëmjen e së shtunës. Protesta u pasua nga akuza të ndërsjellta nga kampet respektive. Sot në Top Talk ka qenë nën/kryetari i LSI Luan Rama për të mësuar më shumë mbi strategjinë e opozitës në raport me synimin kryesor të saj sikurse thotë largimin e Edi Ramës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të drejta dhe të barabarta.
“Nuk mendoj se kryeministri Rama është i pashqetësuar, por nëse do të ishte i tillë do të kishim të bënim me një papërgjegjshmëri totale. Nuk pres që ai që është shkaktari i krizës ta pranojë realitetin e kësaj krize ashtu siç është. Jo vetë perceptimi i opozitës, por edhe partnerët ndërkombëtarë flasin për një krizë. Prandaj kërkojmë të flasim ta zgjidhim atë. Qëllimi strategjik është largimi i Ramës dhe qeverisë së tij, hapat dhe proceset për të arritur në këtë qëllim kanë të bëjnë me taktikat e opozitës. Protesta e radhës do të jetë shumë shpejt. Kohëzgjatja nga protesta në protestë varet edhe nga reagimi i qeverisë dhe nga aktiviteti parlamentar. Po shikohen alternativa që kjo protestë të përshkallëzohet edhe në forma të tjera të reagimit qytetar”, u shpreh ai.
Më tej ish-deputeti i LIS, Luan Rama, tha se personalisht mendon se opozita duhet të dalë e të thotë prerazi që nuk merr pjesë në zgjedhje fasadë.
“Nuk besoj se jemi në kushte të barabarta për në zgjedhjet e 30 qershorit. Në vlerësimin tim personal, jo atë institucional, Opozita duhet ta thotë qartë dhe prerë që nuk do të jetë pjesë e procesit të farsës së radhës dhe kompromentimin e zgjedhjeve të radhës. Zgjedhjet në Shqipëri bëhen nga grupet kriminale. Pa u garantuar dekriminalizimi i Zgjedhjeve, pa u garantuar cilësia e Zgjedhjeve, nuk mund të hyhet në zgjedhje”, tha Luan Rama.
Më tej, nënkryetari i LSI, tha se opozita është e gatshme për t’u ulur në bisedime, por reagimi i parë duhet të vijë nga kryeministri.
“Jemi gati të ulemi për bisedime, por reagimi i parë për këtë është dorëheqja e kryeministrit. Sepse nëse nuk kultivohet në këtë vend, edukata e ndëshkueshmërisë. Për shkak se në raportet e BE pandëshkueshmëria është një ndër faktorët alarmant për shoqërinë shqiptare. Ne nuk krijojmë besim tek qytetarët. Nuk është dramë e madhe dorëheqja e një kryeministri. Edhe Fatos Nano, Pandeli Majko kanë dhënë dorëheqjen të dominuar nga filozofia politike të lëshojmë pushtet për të bërë shtet ata janë tërhequr në momente të caktuara për të shmangur krizat politike”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post