E ftuar në A2 CNN, përballë gazetarit Endri Xhafo, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, është shprehur se, grabitja e 10 milionë euroshe në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” është një akt terrorist.
Sipas saj, Policia duhet të kishte dalë para mediave e të paktën të deklaronte shumën e grabitur.
“Ngjarja e Rinasit nuk ishte një film i Hollivudit. Të guxojnë ta bëjnë në shtete të rëndësishme. Për mua ngjarja është veprim terrorist. Përveç vjedhjes së parave. Në radhë të parë duhet të kishim një deklaratë të qartë se sa është vlera e grabitur, për të informuar opinionin publik”, u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI shkon edhe më tej, duke thënë se është e çuditshme se grabitje të tilla ndodhin para zgjedhjeve.
E pyetur se me këtë nënkupton se paratë do të përdoren për zgjedhje, Kryemadhi thotë se është e bindur për këtë.
“Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se ky është rasti i përsëritur. Para zgjedhjeve ndodhin këto fenomene, çuditërisht. Do ta shikoni shumë shpejt këmbimi i euros. Euro ka rënë sepse kanë hyrë në treg paratë e grabitura. Policia nuk vazhdon të gjejë paratë, por bën “ciu ciu” në Twitter, duke akuzuar opozitën, sikur ishte faji i saj”, deklaroi kryetarja e LSI.
“Unë jam e bindur që për këtë është, pasi për mua është një skemë funksionale, e cila është në bashkëpunim me punonjës banke, firmën transportuese dhe Policinë e Shtetit. Rinasi është një nga hallkat e të gjithë zinxhirit kriminal që sot në Shqipëri është institucionalizuar. Mund të jetë edhe një prapaskenë tjetër. Për të larguar një koncesionar dhe për të sjellë një tjetër. Edhe kjo mund të jetë. Janë shumë gjera që vendosin në dilemë që vendosin në pikëpyetje sigurinë e vendit”, shtoi Kryemadhi.
E pyetur për vrasjen e një prej të dyshuarve si grabitës në ngjarjen e para dy ditëve, Kryemadhi lëshoi një koment befasues, që po komentohet kudo: “Po të shikohet vrasja e autorit. Po të shikoni nuk ka asnjë plumb makina. Merreni dhe shikoni makinën”.
Video
Diskutime rreth kësaj post