Rikthehen grabitjet e makinave të bankave brenda në pistën e aeroportit të Rinasit. Një makinë e transportimit të vlerave monetare është grabitur mesditën e sotme, në momentin kur paratë po ngarkoheshin në avionin e linjës Tiranë-Vjenë. Mësohet se shuma e parave të grabitura është rreth 2 mln euro. Autorët kanë qenë të maskuar, të veshur me uniformë ushtarake dhe të pajisur me armë zjarri kallashnikov. Ata kanë përdorur një makinë që dyshohet e vjedhur me të cilën janë larguar. Burime për MAPO thanë se automjeti i autorëve, pa targa, kishte mbishkrime ku shkruhej “Hetimi Tatimor”. Pasi kanë ndaluar blindin nën kërcënimin e armëve, ata kanë marrë thasët me para, të cilat do të transportoheshin jashtë vendit.
Në vendin e ngjarjes janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri nga i cili ka mbetur i vdekur një prej grabitësve. Rojet privat të bankës kanë hapur zjarr në drejtim të autorëve, duke vrarë një prej autorëve. Viktima kishte në kokë një kapuç.
Gazeta MAPO mëson se kanë qenë 4 persona që kryenin grabitjen. Makina që transportonte paratë dyshohet se është vëzhguar që nga Tirana. Mendohet se kanë qenë edhe 2 makina të tjera që kanë ndihmuar autorët për të kryer grabitjen.
Autorët janë larguar drejt Rinasit dhe mendohet se kanë ikur për në Fushë-Krujë. Dyshohet se ata janë pjesë e një grupi kriminal të cilët kanë kryer më parë grabitje e vepra të tjera të rënda penale. Policia ka bllokuar rrugën e Rinasit si dhe është kërkuar edhe ndihma e helikopterit të Policisë, për të rënë në gjurmët e grabitësve. Dy prokurorë të Krimeve të Rënda, Kreshnik Ajazi dhe Ndini Tavani, ndodhen në vendin e ngjarjes. Kur kishin kaluar rreth 20 minuta nga ngjarja, u raportua për një automjet të djegur në periferi të Fushë Krujës. Nga aty, grabitësit janë larguar me një makinë tjetër.
Si ndodhi grabitja
Autorët kanë hapur portën e rrethimit të aeroportit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse. Autorët kanë shkuar deri në pistën e avionëve. Janë futur në avion, kanë marrë çantat me para dhe janë larguar. Rrugës autorët janë ndjekur nga policia. Ata kanë qëlluar policinë, dhe uniformat blu u janë përgjigjur me shkëmbim zjarri. Njëri është konfirmuar i vdekur. Autorët kanë hedhur edhe granata drejt policisë. Në aksion për arrestimin e autorëve janë edhe FNSH e RENEA, ndërsa në ndihmë ka shkuar edhe një helikopter i cili po patrullon nga ajri.
Diskutime rreth kësaj post