Rudina Hajdari është emri që ka shkaktuar më tepër debate prej atyre që nuk dogjën apo pranuan mandatin e deputetit nga listat e opozitës. Kjo, për deklaratat e bëra para dhe pas, por edhe për shkak të mbiemrit të saj.
Për shkak të sulmeve të vazhdueshme që po i vijnë kryesisht nga partia e saj, opozita është duke legjitimuar një tjetër opozitë në Kuvend, e cila përbëhet kryesisht nga anonimë me mandat.
Me heqjen dorë të opozitës nga mandatet, vendi i Edi Palokës është bosh në krah të Gramoz Ruçit, por tashmë është zgjedhur emri që do të ulet në vend të këtij të fundit.
Burime të Albeu.com nga selia e PS bëjnë me dije se të majtët kanë projektuar pikërisht Rudina Hajdarin si nënkryetaren e re të Kuvendit.
Ky operacion bëhet duke patur disa synime, ku i pari është organizimi i një opozite legjitime në Kuvend, e cila më pas të ketë mundësi pse jo të konkurrojë edhe opozitën jashtë, të paktën në imazh.
Krahas kësaj Rudina Hajdari si nënkryetare e Kuvendit plotëson edhe profilin e personazheve të preferuara të Ramës për postet dytësore, të cilat i përdor si makiazh të pushtetit të tij.
Në këtë mënyrë, Rama do t’u thotë shqiptarëve dhe ndërkombëtareve se nuk ka asnjë problem me kundërshtarët e tij, madje u jep edhe detyra të rendësishme.
Kjo lëvizje po sponsorizohet edhe për të krijuar një të çarë tjetër në të djathtë mes mbështetësve të linjës së vjetër të demokratëve dhe “Republikës së Re” të Lulzim Bashës, të cilët janë zërat kryesorë që fyejnë sot pranimin e mandatit nga e bija e Azem Hajdarit. /albeu
Diskutime rreth kësaj post