Nga Ardit Rada
Presidenti i Republikës ka dalë sot me një deklaratë të skajshme teksa u shpreh se ishte gati të sakrifikonte jo vetëm mandatin, por edhe jetën e tij për të gjetur zgjidhjen e situatës politike. Referuar historisë së tranzicionit, ky qëndrim i pazakontë i Ilir Metës nuk është mbajtur as nga ‘pikat e tij e dobët’, Sali Berisha, në vitin 1997 teksa rizgjidhej president në mes të kryengritjes mbarëpopullore. Por pse kjo gatishmëri e Metës për t’u vetëflijuar në një fabul të prodhuar nga vetë partia e tij, pjesë e opozitës?
Me gjasë, Lulzim Basha dhe bashkëshortja e Presidentit tashmë janë të qartë se dorëzimi i mandateve nuk ‘ndezi’ mjaftueshëm as jetën politike dhe as qytetarët. Me protesta çdo ditë e më të tkurrura dhe përballë ndërkombëtarëve që fjalën e fundit e kanë thënë të parën ndaj Bashës dhe Krymadhit, duket se Meta po përpiqet t’i japë një dorë kauzës së shpikur këtë pranverë.
Meta u shpreh sot se si President ka bërë gjithçka për të parandaluar krizën. Në fakt, kreu i shtetit nuk ka bërë “A”-në e rolit të tij duke mos thërritur një tryezë dialogu. Mbi të gjitha, ka qenë vetë Meta duke prodhuar ngërçe me qeverinë përmes mosdekretimit të ministrave, raste të paprecedenta këto për politikën shqiptare. Qëndrimi i sotëm ngre edhe dyshime mbi rolin e Ilir Metës në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Ai duhet të shprehet qartë nëse data e dekretuar prej tij është e ligjshme edhe pa opozitën, që me dëshirën e saj doli nga Kuvendi dhe betejën e radhës me gjasë ka bojkotin e vendoreve.
Sot, kreu i Shtetit hodhi edhe një ‘shashkë’ që në fakt nuk krijon as zhurmë dhe as tym. Duke e harmonizuar ‘sakrifikimin’ e tij me stabilitetin e nevojshëm, ai tha se nuk do të lejojë instalimin e një junte ushtarake. Me pak fjalë, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura nuk ka komandë mbi ato pak ushtarë që ka Shqipëria, dhe frenimin e sheh duke u mbyllur në Presidencë me helmetë në kokë si Salvador Aljende. Përveç një krahasimi të pagjetur historik, Presidenti i vendit tonë e ka të paqartë se ushtria jonë është pjesë e NATO-së. Dhe se Policia aderon në INTERPOL, PAMECA etj. Dhe perëndimorët që komandojnë këto aleanca, sado të kenë kritika ndaj të shoqes dhe Lulzim Bashës, nuk e kanë praktikë të instalojnë junta askund.
Ndaj nuk i duhet helmeta. Nëse ka dëshirë të vërë kundragazin e t’i qëllojë zyrës së tij më gurë, kjo është çështje tjetër.
Diskutime rreth kësaj post