Padyshim “shqiponja me duar” është simboli më i përdorur nga shqiptarët kudo që ndodhen, jo vetëm me rastin e festave të Nëntorit, por sa herë duam ti tregojmë dikujt me krenari nga e kemi origjinën apo vendlindjen. Qoftë në ndeshje të mëdha ndërkombëtare, në skena koncertesh me mijëra spektatorë apo në filma, shqiptarët nuk ngurojnë të kryqëzojnë duart dhe të tregojnë se vijnë nga vendi i shqiponjave.
Por a e dini si ka nisur ky trend? As unë. Megjithatë një teroi për këtë ka këngëtarja Yllka Kuqi, e cila me anë të një postimi në Instagram, na tregoi se i pari që e ka bërë simbolin e “shqiponjës me dy duar”, ka qenë babai i saj.
Bashkangjitur me foton ku duket Zeqë Kuqi në vitin 2003, duke bërë simbolin e famshëm, i veshur me një kostum tradicional shqiptar, ajo shkruan: “Babai im, shqiponjën e kishte simbol përshëndetës në çdo performancë të tij, qysh para viteve 90-të, në kohën kur ishte shumë e vështirë edhe të flitej shqip. Edhe pse, për këtë gjest ai është dënuar shumë herë nga regjimi serb, kurrë nuk ka hequr dorë nga Shqipja. Jam krenare për ty babi”.
Ndoshta ky postim mund të hapë dhe një debat, pasi disa kohë më parë ishte këngëtarja Edona Llalloshi që tha se ishte e para e cila e beri “shqiponjën me duar” përpara publikut. E ftuar në “Tour De Cool” këngëtarja tregoi se: “E them publikisht se ka qenë ideja e babait tim. Unë isha nder garueset më të mira në “Festivalin e Këngës” në vitin 1994, në atë kohë ishim të etur për Shqipërinë. Prandaj babai më tha: Kur të dalësh të këndosh, nxirri duart kështu dhe trego dashurinë që kemi ne për Shqipërinë, për flamurin kombëtar. Nuk e kemi marrë prej askujt dhe pastaj u përhap.”
Tani na duhet të presim se kush do të jetë i ardhshmi që do të pretendojë se i ka dhënë jetë simbolit të njohur, e sigurtë është që do të thotë se e ka bërë që në vitin 1992. /Blitz.al
Diskutime rreth kësaj post