“Turkish Airlines ka bërë një marrëveshje të ngjashme pak vite më parë edhe me Bosna Airlines, ku u humbën disa miliona euro dhe gjithçka u mbyll. Partneriteti me Air Albania duket i njëjtë dhe gjasat janë që dhe ky partneritet të përfundojë siç përfundoi ai me Bosna Airlines”.
Kjo ishte “profecia” e gazetarit turk Murat Herdem në gusht 2018 kur avioni AirBus 319 i lyer kuqezi filloi të bentë xhiro Tiranë-Stamboll-Tiranë me të moshuar apo gazetarë sipër.
Nuk zgjati shumë dhe “profecia” e tij u përmbush. Tashmë nuk po flitet më për Air Albania dhe avioni “AirBus 319” me numër TC-JLR nuk fluturon më në qiellin shqiptar.
Gjatë ditës së djeshme, portali zvicerjan “Ch-aviation” raportoi se avioni i ishte dorëzuar turqve.
Albeu.com kontaktoi me e-mail me Murat Herdem, gazetarin e portalit AirportHaber, i cili parashikoi në gusht se çfarë do të ndodhte me këtë partneritet.
“Nga informacionet e mia, avioni për të cilin ju pyesni, pra AirBus 319 TC-JLR ndodhet në Stamboll që prej datës 17 dhjetor 2018 dhe nuk ka lëvizur prej këtu”, shprehet ai duke shtuar se nuk dihet nëse avioni ka ardhur për mirëmbajtje apo tani do të qendrojë përfundimisht aty.
“Nëse nuk ka ardhur për riparim, atëherë është problem i madh”, vijon ai duke patur parasysh faktin se nëse avioni nuk ka shkuar për riparim do të thotë se ai është marrë mbrapsht nga Turkish Airlines.
“Turkish Airlines ka patur të njëjtën marrëveshje me Bosna Airlines. Në rastin e Air Albania, Turkish Airlines ka patur 49 për qind të aksioneve, ç’ka e bën të pamundur që ata të marrin vendime. Kjo i sjell dëme financiare kompanisë, ashtu siç i solli me Bosna Airlines”, tha Murat Herdem për Albeu.com.
Ai e quan partneritetin Turkish Airlines -Air Albania, ku qeveria shqiptare ka një pjesë të mirë të aksioneve si një “foshnje që ka lindur e vdekur”.
“Nuk pritej të ndodhte ndryshe. Besoj se ky partneritet ka përfunduar”, përmbyll gazetari turk.
Gjate verës së vitit të shkuar, Kryeministri Rama lançoi me të madhe Air Albanian si një sukses i partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi duke njoftuar se brenda pak kohësh, krahas Stambollit, ngjyrat kuqezi do të fluturonin edhe në Romë, Paris, Londër, madje edhe në Neë York.
Asgjë nga këto nuk ndodhi. Tashmë avioni që u përdor për disa ditë si charter personal i Ramës ku ai hipi atje personazhet pranë tij dergjet nën ajrin e lagësht dhe plot kripë të Stambollit në pritje të rrjepjes së ngjyrave kuqezi dhe riveshjes me ndonjë ngjyrë tjetër.
Tashmë Turkish Airlines ka filluar ta përdorë avionin e Air Albania për linjat e veta. Sëfundmi ai është fotografuar në aeoroportin “Ben Gurion” të Izraelit (shiko fotot) duke kryer një fluturim rutinë nën kodin e kompanisë turke.
Diskutime rreth kësaj post