Vendosja e gjobave për shoferët e makinave është kthyer në një sport të pëlqyeshëm për policët rrugorë, ata të rendit dhe ata të bashkive në Shqipëri, ku secili rri gati me një bllok në dorë duke menduar se kujt t’ja zhvasë ndonjë lek.
Madje, gjobat janë kthyer edhe në një burim të mirë të ardhurash si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për atë të bashkive.
Në redaksinë e Albeu.com ka ardhur një denoncim, të cilin ne e verifikuam para publikimit dhe rezulton se kemi të bëjmë me një shkelje flagrante nga ana e Policisë Bashkiake të Tiranës.
Çfarë ka ndodhur?
Shoferi që denoncoi ngjarjen në redaksinë tonë e parkon makinën e tij tek rruga “Myslym Shyri” më datë 29 janar 2019 dhe dërgon një SMS në numrin 50500 të “Tirana Parking” duke paguar 100 lekë për një orë.
Pas pak sekondash, qytetarit i vjen në celular një SMS nga numri 50500 i “Tirana Parking” ku i thotë se pagesa u pranua dhe ai kishte të drejtë që ta linte makinën aty nga ora 09:17 deri në orën 10:17 të datës 29 janar 2019. (Shiko fotot)
I qetë dhe me mendje të fjetur, qytetari shkon mbaron punët e tij dhe kur kthehet para përfundimit të afatit te lejuar për të cilin kishte paguar parkimin gjen në xhamin e makinës në gjobë në vlerën 1 000 lekë të firmosur nga polici A. Balliu me ID 539.
Gjoba mban datën 29 janar 2019 dhe orën 09:50. (Shiko fotot)
Nga verifikimi i orës në të cilën polici ka vendosur gjobën dhe SMS të marrë nga Tirana parking lindin dyshime të forta se gjobitja e tij është bërë në mënyrë të padrejtë nga polici në turn.
Albeu.com verifikoi në mënyrë të pavaruar nga burime të tjera pretendimet e qytetarit dhe rezulton se gjoba i është vendosur në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje të plotë.
“Mund të verifikoni orën e SMS tek Tirana Parking si edhe orën që është vendosur gjoba, kaq mjafton për të vërtetuar se këta janë hajdutë me çizme”, thotë për Albeu.com shoferi denoncues.
Në rastin më të mirë, thotë ai, sistemi i “Tirana Parking” nuk ka funksionuar dhe në rastin më të keq, polici më ka gjobitur pa parë fare në sistem thjesht se ashtu ka dashur apo i është thënë.
“Kur mora në telefon Policinë Bashkiake më thanë se duhej të shkoja atje dhe të bëja një ankesë, por unë jetoj në Durrës. Më shumë më shkon nafta që të vij në Tiranë e të kthehem se sa gjoba”, vijoi ai.
Hapësirat e parkimit janë ngushtuar shumë gjatë viteve të fundit në Tiranë pas vendosjes së pagesës për parkimin në rrugë, ndërsa të ardhurat nga parkimi janë rritur ndjeshëm për Bashkinë e Tiranës.
Të dhënat nuk janë raportuar ende plotësisht, por Bashkia e Tiranës parashikonte të mblidhte plot 450 milion lekë vetëm nga parkimi për vitin që sapo lam pas. /albeu.
Diskutime rreth kësaj post