Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të martën se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe të drejtat e migruesve, po dobësohen për të 13-in vit me radhë.
Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, 86 syresh, apo 44 për qind, radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 apo 30 për qind janë me liri të pjesshme dhe 50 apo 26 për qind radhiten në mesin e vendeve jo të lira.
Në raport theksohet se 68 vende kanë shënuar rënie në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 50 syresh kanë shënuar ngritje.
Nga vendet e Ballkanit, vetëm Kroacia është në mesin e vendeve të lira, ndërsa Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.
Serbia ishte radhitur një vit më parë në mesin e vendeve të lira, por sipas raportit, ajo shënoi rënie për shkak të parregullsive në zgjedhje, fushatave kundër gazetarëve të pavarur dhe përqendrimit jo kushtetues të pushtetit në duart e presidentit Aleksandër Vuçiç.
Edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, përfshihet në raport për siç thuhet, përqendrimin e pushtetit shtetëror rreth vetes dhe grupit të tij, duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.
Nga 50 vendet e radhitura në kategorinë jo të lira, 13 syresh janë në gjendjen më të keqe si Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani, Koreja e Veriut, Guinea Ekuatoriale, Arabia Saudite, Somalia, Sudani, Taxhikistani, Uzbekistani, Republika e Afrikës Qendrore dhe Libia.
Ndër gjetjet e raportit, është edhe dobësimi i Shteteve të Bashkuara si një kampion i demokracisë, që radhitet lart në mesin e vendeve të lira, por më poshtë sesa demokracitë tjera si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo Kanadaja.
Shtetet e Bashkuara, sipas raportit, shënuan rënie në fushën e sundimit të ligjit, pasi politikat dhe veprimet e qeverisë kufizuan në mënyrë të papërshtatshme të drejtat ligjore të strehimkërkuesve, diskriminimi u bë i dukshëm në pranimin e refugjatëve dhe politikat e ndalimit të emigracionit ishin tepër të ashpra ose kaotike.
Raporti mbi “Liritë në Botë”, publikohet që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë rrjedhat botërore për më shumë se 45 vjet.
Sipas raportit të Freedom House për 2017, demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”, sipas organizatës Freedom House.
Shqipëria ishte renditur në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse theksohej se ishte shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta.
Diskutime rreth kësaj post