Një numër i madh berberësh në Podujevë të Kosovës tentuan disa ditë më parë që të fiksonin çmimet e rruatjes dhe qethjes se klientëve duke bërë që të ndërhyjë Autoriteti i Mbrojtjes së Konkurrencës, gjë e cila nuk lejoi aplikimin e çmimeve të fiksuara në këtë treg.
Mirëpo, pas tentativës për ngritjen e kartelit të “leshit” në Kosovë, tashmë ka një tjetër tentativë për një kartel, kësaj radhe për shërbimet dentare në Shqipëri.
Përmes një vendimi që mban vulën dhe firmën e Presidentit të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, Nikoll Deda, Asambleja Kombëtare e këtij urdhri detyron të gjithë stomatologët në vend që të fiksojnë çmimet e shërbimeve të tyre.
Sipas këtij urdhri, të gjithë stomatologët nuk duhet të kryejnë shërbime nën çmimin minimal të përcaktuar në listën e publikuar aty duke sjellë kështu një precedent të rrezikshëm të prishjes së konkurrencës në treg përmes kartelit.
Një fakt i tillë është cekur edhe nga gazetari Klodian Tomorri në Facebook.
“Urdhri i Stomatologeve është nje ent publik, që funksionon në bazë të ligjit nr 127 i vitit 2014. Në asnjë nen të ligjit, nuk i jepet tagër urdhrit të fiksojë çmimet e shërbimeve dentare. Dhe nuk ka se si ti jepet sepse caktimi i çmimeve është i jashteligjshëm”, shkruan ai.
Konkurrenca sjell ulje të çmimeve dhe përmirësim të shërbimit për konsumatorët dhe është një sektor ndaj të cilit institucionet shtetërore në botë tregojnë mjaft kujdes, por ky fakt është shkelur me të dyja këmbët nga Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë duke shkaktuar kështu rritje të çmimeve me marrëveshje.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i Autoritetit të Konkurrencës në vend ndaj këtij veprimi, i cili është mjaft i dënueshëm dhe me ndikim negativ në xhepat e qytetarëve. /albeu.
Diskutime rreth kësaj post