Ish-Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias deklaroi se marrëveshja për detin dhe çështje të tjera mes Greqisë dhe Shqipërisë do të ishte mbyllur, në rast se në vendin tonë do të funksiononte Gjykata Kushtetuese.
Duke folur për ketë temë, ish-ministri grek tha se kishte probleme komunikimi midis Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta.
Kotzias ka shtuar misterin që lidhet me shkarkimin e Ditmir Bushatit duke premtuar se në një intervistë tjetër do të rrëfente edhe arsyet e largimit të tij nga Rama.
Në përgjigje të një komenti nga një qytetare, dërguar gjatë një interviste në radion “News24/7”, lidhur me gjendjen e luftës me Shqipërinë që zgjat prej 75 vitesh, Kotzias deklaroi:
“Këtë çështje e kishim si pjesë të një pakete. Jo të gjithë ishin dakord që të zgjidhej. Kishim një problem, veçanërisht që marrëveshja mbi ZEE-të, që kishim përgatitur me kolegun tim shqiptar, nuk kishte Gjykatë Kushtetuese në Shqipëri që ta miratojë. Domethënë, meqenëse ishte refuzuar marrëveshja e mëparshme nga Gjykata Kushtetuese, duhet të funksiononte Gjykata Kushtetuese që të kalonte aty”.
“Siç di – tani ka disa lëvizje, të shohim – Gjykata ka 11 anëtarë dhe kishin mbetur vetëm dy. Plus kishte probleme komunikimi midis Ramës dhe Metës. Ajo që është e trishtë, do të thoja, është se Bushati nuk do të jetë më ministër i Jashtëm i Shqipërisë, për arsye që mund t’i diskutojmë në një intervistë tjetër”, tha më tej Kotzias.
Sipas Kotzias-it, ai u largua nga Rama dhe “ne të dy, që thuajse kishim mbaruar paketën e marrëveshjes mes Greqisë dhe Shqipërisë, nuk jemi më në ministritë tona”.
Diskutime rreth kësaj post