Ishte viti 1995 kur studentja e sapodiplomuar, Anila Denaj, plotësoi formularin e një fondacioni të sapokrijuar për të ushtruar aktivitet mikrokredie në Shqipëri. Ishte një veprim thjesht për të provuar, ose sepse nuk ke asgjë për të humbur, siç themi ndonjëherë. Por, plotësimi i atij formulari do të përcaktonte drejtimin e karrierës së saj. Brenda dy javësh ajo ishte një ndër gjashtë të përzgjedhurat e Fondacionit Fefad, pas një jave nisi një kurs spanjishteje dhe brenda një muaji u nis për një trajnim në Bolivi.
Pas 23 vjetësh, karriera e Anila Denaj ka arritur pikën më të lartë. Të mërkurën ajo u votua nga Kuvendi si Ministre e Financave dhe Ekonomisë. Në një intervistë të vitit 2008, kur punonte si zëvendësdrejtore e përgjithshme e një banke të nivelit të parë në Shqipëri, Anila Denaj tregonte rrugën kurioze të karrierës së saj, nga fillimet te gazetare, tek formimi si eksperte e mikrofinancës në Bolivi dhe përvoja si menaxhere në banka të grupittë bankës së nivelit të parë në vende të largëta, si El Salvador apo Mozambik.
Banka, një dashuri që zgjati 18 vjet
Në vitin 1995, Anila Denaj, punonte si gazetare në gazetën “Koha Jonë”, por kishte vendosur ta linte këtë punë, sepse nuk i përshtatej natyrës së saj dhe mënyrës se si dëshironte ta zhvillonte karrierën. Vendosi të punonte një vit në një program i Organizatës Botërore të Bujqësisë dhe Ushqimit (FAO) me synimin për të punuar në Bankën Agrare të asaj kohe, që kishte për qëllim zhvillimin e kreditimit të sektorit bujqësor.
Projekti ishte qëndrimi atje për një vit, për të mësuar bazat e punës në bankë. Por nga një periudhë shumë intensive me shkollën dhe gazetarinë paralelisht, znj.Denaj thotë se në këtë institucion e humbi ritmin, sepse atje kishte shumë pak punë për të bërë. Mjaftuan dy muaj për të kuptuar se ajo punë nuk ishte në natyrën e saj dhe aplikoi në fondacionin Fefad, pikërisht ditën që mori diplomën.
“E kam nisur këtë rrugë si një “aventuriere”, që hyn në një botë që nuk e njeh dhe mbi të gjithë në një institucion që nuk ishte krijuar dhe as kishte emër. Në atë kohë këtu nuk ekzistonte koncepti i mikrofinancës dhe kjo ishte një eksperiencë krejt e re. Në këtë mision personal dhe profesional u gjenda në një marrëdhënie që do të ishte shumë e rëndësishme dhe ka zgjatur deri më sot”, tregon znj.Denaj.
Meqënëse baza e eksperiencës së IPC (International Project Consultant), shoqërisë së konsulencës që menaxhon bankat e grupit të nilevit të parë, ishte krijuar në Amerikën Latine, znj.Denaj dhe disa të rinj të tjerë u dërguan atje për të kuptuar si funksiononte grupi dhe mikrofinanca. Në vitet e mëpasshme, Shqipëria u kthye në bazë për trajnimin e stafit nga vendet fqinje, ku grupi hapi degët e veta.
“Në Bolivi gjetëm një sistem ekonomik tej mase të varfër dhe ku niveli i kredidhënies ishte shumë i larte por ne shuma minimale me mesatare 300-400 dollarë. Na bëri përshtypje masiviteti i klientëve informalë, që ishin totalisht të injoruar nga sistemi bankar tradicional. Ndaj në këtë mjedis kishte shumë institucione mikrofinance, për të plotësuar këtë boshllëk që linte sistemi bankar në këtë kategori dhe që synonin që, me këtë teknikë të tyre të komunikimit dhe njohjes së klientit, të ishin të suksesshëm.
Përshtypja e parë ishte një dyshim dhe moskuptim i asaj që duhet të bënim atje. Mendonim se pse na kishin çuar në një treg që nuk ngjasonte me tregun e Shqipërisë dhe që tek njerëzit nuk do shkonin kurrë në bankë për 300 dollarë. Por pas disa muajsh kuptuam se nuk ishte një çështje shifrash, por çështje e përqasjes ndaj tregut informal, e mënyrës se si ti e merr informacionin: e merr duke pritur klientin të vijë në zyrë, apo e merr duke shkuar dhe duke e njohur gjendjen e klientit në terren. Dhe ajo që na bëri përshtypje është fakti se, nëse arrin të gjesh përqasjen e duhur, këta janë klientët më korrektë në pagesa. Më mahniti fakti se me njerëzit në zonat rurale ishte më i lehtë komunikimi dhe ata ishin gjithnjë më të prirur për të gjetur një zgjidhje për të paguar, megjithë vështirësitë që mund të kishin”, tregon znj.Denaj për atë eksperiencë.
Bolivia do të ishte vetëm stacioni i parë i një formimi që u shtri në Shqipëri dhe më vonë në disa vende të tjera të botës, nga El Salvadori në Mozambik.
Fillimisht u kthye në Shqipëri dhe nisi punë si analiste, më pas si koordinatore kredie e më pas si menaxhere e degës së parë që Fefad hapi në Durrës. Sipas saj, ky ka qenë një moment shumë i rëndësishëm, që përcaktoi rrjedhën e karrierës dhe të ardhmen e saj.
Në fund të vitit 1997, në një moment kur të gjithë mendonin për t’u larguar, Fefad vendosi të mos i ndryshonte planet e saj për hapjen e një dege në Durrësit. Stafi drejtues i fondacionit donte të jepte një mesazh të qartë, se grupi ishte këtu për të qëndruar.
“Ky hap përcaktoi edhe pavarësinë time, edhe në kuptimin e ndërtimit të karrierës. Karriera nuk mund të shkëputet nga jeta personale. Një person që nuk është i pavarur në aspektet private nuk mund të jetë i pavarur në marrjen e vendimeve. Në karrierë ecet hap pas hapi dhe duke i prekur me dorë të gjithë proceset e punës”, thotë ajo.
Znj.Denaj tregon se gjëja më e vështirë gjatë viteve të kaluara si menaxhere në gjashtë vende të ndryshme të botës ka qenë pikërisht përshtatja me mjedise dhe mentalitete të ndryshme. Kjo është më e vështirë se njohja teknike e problemeve të punës. Megjithatë, duke parë pas, shprehet se është shumë e kënaqur që e përfundoi këtë proces njohjeje dhe se secila prej këtyre eksperiencave ka qenë një diplomë më vete në njohjen e mentalitetit, komunikimit dhe në afrimin me burimet njerëzore.
“Vështirësitë më të mëdha i kisha në Afrikë, sepse aty nuk ishte shumë i zhvilluar shpirti i sipërmarrjes, edhe për shkak të historisë. Ishte një mjedis ku përziheshin shumë elemente socialiste dhe disa elemente të një dëshire për të ndryshuar. Ky mjedis e bënte më të vështirë punën, por edhe të krijonte një premisë për të mësuar më shumë rreth burimeve njerëzore. Kur arrin të krijosh një staf që ka koncepte të ndryshme, në një mjedis ku të gjithë kanë një mentalitet prapambetur, është diçka shumë e kënaqshme,” thotë znj.Denaj.
Ajo mendon se e ardhmja dhe karriera do të vazhdojë të jetë në Shqipëri.
Rëndësia e komunikimit
Sipas znj.Denaj, natyra e mikrofinancës gërsheton tiparet e financës me njohjen sociale dhe pikërisht në këtë botë ajo ka krijuar një profil, në përputhje edhe me tiparet e personalitetit të saj.
“Përveç prejardhjes sonë me një formim ekonomik, u zgjodhën karakteristika të tjera të sjelljes dhe komunikimi, përfshirja edhe në aktivitete të tjera sociale dhe jo thjesht teknika e një banke. Në themel të bankës sonë është pikërisht komunikimi.
Shumicën e kohës stafi qëndron më shumë në terren se sa në zyrë, për të njohur klientët dhe për të komunikuar me ta. Komunikimi i hapur dhe i thjeshtë është mënyrë më e mirë për të bërë biznes se sa komunikimi zyrtar dhe formal. Ai që është menaxher, nuk mund të mos ketë një aftësi të caktuar komunikimi”, thotë ajo.
Sipas saj, menaxhimin duhet ndarë në dy aspekte; menaxhim procesesh dhe menaxhim stafi. Në kuptimin e menaxhimit të burimeve njerëzore, ajo mendon se është e vlefshme të jesh direkt, i hapur dhe i sinqertë. Pa harruar bazën e çdo suksesi: vullnetin e fortë për të punuar. Kjo është këshilla e Anila Denajt për ata të rinj që duan të jenë të suksesshëm në botën e bankave.
“Ajo që duhet të bëjë dikush që do të bëjë karrierë në bankë është të punojë shumë, me vullnet dhe me ndershmëri. Dikur kemi pasur një nivel arsimor më të ashpër se sa ndodh sot. Unë do të thoja që të rinjtë nuk duhet të kapen te një diplomë, por tek puna që bëni dhe ajo që mund të jepni. Këtu është i rëndësishëm është karakteri i njeriut. Ajo që është më e rëndësishme është forma e komunikimit dhe mënyra se si e ndërton raportin me të tjerët,” përfundoi rrëfimin e karrierës znj.Denaj.
Anila Denaj punoi në këtë bankë deri në vitin 2013, kur dha dorëheqjen dhe nisi eksperiencën në sektorin publik. Nga viti 2013 e në vazhdim, Anila Denaj ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe postare, zëvendësministre e Financave dhe drejtore e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.JavaN
Diskutime rreth kësaj post