Që nga dita e vetëdorëzimit të Klement Balilit, ku dhe si donte ai, e gjithë Rilindja me në krye kryeministrin Edi Rama, po përpiqen që këtë “aksion” ta quajnë si një sukses të policisë. Në fakt e vërteta qëndron krejtësisht ndryshe dhe këtë e pohon gjatë intervistës me gazetarin Artan Hoxha vetë Balili.
Është e vërtetë që forcat special duke përfshirë edhe Renean apo njësitë operacionale kanë kryer disa aksione-show për kapjen e nr.1 në listën e të shumëkërkuarve në Shqipëri, por këto vetëm formalisht pas deklarimeve dhe presionit të ambasadës amerikane dhe të agjencive të tjera ndërkombëtare. Në një pjesë të rrëfimit të tij Balili tregon se “puna” e policisë për kapjen e tij ka qenë fare qesharake.
I etiketuari “Eskobar” tregon, se gjatë këtyre 2 viteve e gjysmë që ishte personi më i kërkuar nga policia qëndronte vërdallë nëpër Gjirokastër dhe qytete të tjera të mëdha. Madje ai arrin deri aty sa deklaron se gjatë këtyre vërdallisjeve të tija, gjithmonë brenda Shqipërisë, asnjëherë nuk i kanë dalë përballë policë.
Lexojeni këtë pjesë të intervistës së Balilit për të kuptuar se sa qesharake dhe njëkohësisht dramatike ka qenë “puna” dhe predispozicioni i policisë së shtetit, për të kapur Klement Balilin deri në momentin që ai u dorëzua vetë dhe madje duke realizuar një spektakël në mes të fshatit të tij, ku mungonin vetëm sazet e Delvinës.
Ju jeni akuzuar edhe në atë kohë se keni bashkëpunuar me pjesëtarë brenda Policisë së Shtetit, të përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.
Unë nuk kisha lidhje me të gjitha ato akuza që u bënë. Prokuroria nuk gjeti gjë për mua dhe e pushoi çështjen.
Sigurisht që të jesh i kërkuari nr. 1 në një vend, edhe si Shqipëria, nuk është një gjë e lehtë për t’iu shmangur arrestimit nga policia. Ku keni qëndruar gjatë kësaj kohe?
Rrotull, në vendet me publik të madh, si në Gjirokastër dhe në qytete të tjera të mëdha.
Asnjëherë gjatë kësaj kohe nuk jeni larguar nga Shqipëria?
Jo, jo, asnjëherë.
Po si është e mundur që policia në asnjë rast nuk ju ka parë?
Nuk ka koinciduar ndonjëherë përballë meje. Asnjëherë.
Policia ka deklaruar publikisht se ka bërë një seri operacionesh për arrestimin tuaj.
Po, i kam dëgjuar.
Ka qenë ndonjëherë afër bazës ku keni qëndruar ju?
Fare, asnjëherë.
Po si është e mundur që gjatë gjithë kësaj kohe, pra ju të keni qëndruar në Shqipëri dhe asnjëherë policia nuk ka qenë e aftë as që t’i afrohet vendit ku ju keni qëndruar?
Aty ku kam qëndruar unë nuk ka ardhur ndonjëherë policia. Dhe as nuk ka pasur ndonjëherë mundësinë që të afrohej.
Gjatë kësaj kohe që keni qenë në kërkim sigurisht që është një gjë e vështirë sepse nuk është e lehtë që të lëvizësh, ka shpenzime, ka kosto, ndërkohë ka edhe një merak tjetër sepse dëshiron që të dish se çfarë ndodh me familjen tënde. Si ia keni dalë që t’i shmangeni të gjitha këtyre operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit?
Policia kërkonte vetëm në shtëpinë time, në fshat. Normale që unë nuk mund të rrija në fshat.
Gjatë kësaj kohe, keni ardhur ndonjëherë në banesë për t’u interesuar për familjarët tuaj?
Po, kam ardhur.
Policia nuk arriti asnjëherë që ta identifikonte këtë?
Jo, asnjëherë. Kam ardhur dhe kam ikur.
Si i keni mbajtur kontaktet me familjarët?
Me vështirësi.
Keni ndjerë ndonjëherë rrezik se dikush, njeri i afërt që mund të ketë qëndruar me ju gjatë kësaj kohe, edhe mund t’ju dekonspironte te policia për shkak të shpërblimit prej 100 milionë lekësh, që ka qenë vënë?
Jo, jo.
Diskutime rreth kësaj post