Presidenti Ilir Meta i ka hedhur benzinë zjarrit sa i takon marrëdhënieve me qeverinë. Bllokimi fillimisht i Sandër Lleshajt është një precedent që tani kreu i shteti ka nisur ta përdorë vazhdimisht. Dje Meta ka refuzuar të dekretojë Gent Cakën si ministër të Jashtëm. Teksa sinjalet u dhanë që disa ditë më parë, Meta dje i ka dërguar një letër kryeministrit, ku jep argumentet se përse nuk mund ta pranojë këtë propozim. Por debati nëse presidentit i takon të refuzojë një ministër vijon ende. Ashtu si me Sandër Lleshajn, Meta nuk ka përmendur sërish një nen të Kushtetutës apo ligjeve në vend, që i jep atij të drejtën e refuzimit. Megjithatë, dje Meta ka ndezur një luftë të ashpër Qeveri-Presidencë, duke i dhënë një ndihmë të madhe opozitës në tensionimin e situatës politike. Meta ka dhënë dy argumente bazë për refuzimin e Cakës. Ai ka deklaruar se Caka nuk ka pasur certifikatë sigurie për rreth 7 muaj dhe se deklaratat që ka bërë për ndryshmin e kufijve Kosovë-Serbi janë të papranueshme. Pra sinjalet janë se Meta po tenton të bëhet protagonist duke dalë si një mbrojtës i kufijve të Kosovës. Ndërkohë, vetë SHBA dhe Brukseli kanë dalë në mbështetje të Hashim Thaçit. Megjithatë ky ishte një sinjal se derisa të jetë Meta në Presidencë, do kemi përplasje të forta. Ndërkohë gazeta ka mësuar se PS pritet të vihet në lëvizje. Duke qenë se Meta tani po përdor të njëjtin precedent duke u bazuar te elementi se ministri është i papërshtatshëm, pritet të ketë një padi në Kushtetuese. Edhe pse kjo e fundit nuk funksionon, sinjalet janë se ajo do bëhet funksionale për rreth 2 muaj. PS më tepër kërkon që ajo të japë një vendim final për këtë çështje, pasi presidenti tani mund të bllokojë këdo ministër të dojë duke u bazuar vetëm te argumenti se ai është i papërshtatshëm.
Argumentet e Metës
Ilir Meta në shkresën drejtuar kryeministrit Edi Rama ka renditur argumentet, që sipas tij, e kanë bindur që ai të vendosë refuzimin tij. Sipas Metës, deklaratat që Caka ka bërë për kufijtë janë të papranueshme. “Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”, ka thënë ai. Meta është shprehur se vendi ka një axhendë të ngarkuar sa i takon integrimit dhe drejtimit të OSBE dhe në krye të MEPJ duhet një person me përvojë në këtë aspekt. Por ai ka nxjerrë si problem dhe certifikatën e sigurisë. Sipas tij, Caka për 7 muaj nuk ka pasur certifikatë, ndërkohë që tani e ka marrë në mënyrë të dyshimtë. “Gent Caka, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi. Caka, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor”, tha ai. Meta ka deklaruar se Caka ka aplikuar për certifikatë më 3 janar dhe ai e mori atë ditën tjetër. Sipas presidentit, koha për të kryer verifikime nga DSIK ka qenë e pamjaftueshme dhe ai ka ngritur dyshime për zbatimin e ligjit.
Diskutime rreth kësaj post