Mosdekretimi i Presidentit Meta të propozimit të Ramës për të emëruar Gent Cakajn si ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka ndezur sërish debatin mes kryeministrit dhe kreut të shtetit, të cilët ishin një marrëdhënie të ngrirë deri më tani.
Meta thotë se nuk e dekretoi sepse nuk ofron garancitë e nevojshme për ruajtjen e sekreteve të shtetit si edhe të aleatëve si BE dhe NATO.
Sipas presidentit, Cakaj është pajisur vetëm brenda 1 ditë me certifikatat e sigurisë dhe kjo kohë nuk është e mjaftueshme për të verifikuar aktivitetin e një zyrtari nga organet e sigurisë.
Megjithëse se Presidenti ka zgjedhur argumentet të parrëzueshme për të rrëzuar ministrin e Ramës, duket se kjo është një lojë shumë më e madhe se sa një post ministri dhe cic-micet mes Metës dhe Ramës.
Bëhet fjalë për zhvillime të rendësishme në Kosovë dhe rajon ku Shqipëria duhet të japë dakordësinë përmes kreut të diplomacisë, i cili duhej të ishte një njeri, pse jo i shkolluar mirë, por pa staturën politike që t’i thotë “Jo” Ramës dhe investitorëve të tij.
Cakaj ishte zgjedhur si personi i duhur për të noterizuar pazaret me kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa allishverishet do të bëheshin në tavolina të tjera më të mëdha.
Kështu, Meta sot nuk ka rrëzuar Gent Cakajn si ministër apo individ, por Gent Cakajn si projekt.
Faktin që Cakaj, një djalë i shkolluar, ishte projekt e konfirmon edhe vetë Baton Haxhiu, i cilësuar në media si sponsori i tij teksa i thotë Metës në letrën e dërguar se “po bënte një gabim historik”.
Nuk ka asgjë historike në rrëzimin apo miratimin e një ministri, por historike, për mirë apo për keq, është pikërisht projekti që fshihet pas emrit të tij.
Në të gjithë këtë histori, jo domosdoshmërisht Ilir Meta është patrioti dhe Edi Rama tradhtari apo anasjelltas.
Mbetet për t’u parë se cilët janë ata që sponsorizojnë ndarjen e Kosovës përmes projekteve si ai i Cakajt dhe cilët janë ata që kanë plane të tjera që shfaqen përmes rrëzimit të projektit Cakaj.
Ky ishte vetëm raundi i parë i përplasjes mes këtyre fuqive. /albeu
Diskutime rreth kësaj post