Protesta e studentëve ka filluar të zbehet. Disa prej tyre kanë vijuar dje protestën para Kryeministrisë, por numri ka qenë i pakët, ndërsa shumë të tjerë janë futur në auditore. Dje mësimi rifilloi në Universitetin Politeknik, atë Mjekësor dhe te Inxhinieria e Ndërtimit. Edhe studentët e rretheve u janë rikthyer auditorëve, duke e shuar plotësisht protestën e tyre. Ditën e djeshme e vijuan protestën studentët e Universitetit Bujqësor dhe ata të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, duke bojkotuar totalisht procesin mësimor. Edhe pse të pakët në numër, studentët u shprehën se do vazhdojnë me protestat deri në plotësimin e nëntë pikave të tyre. Për ta, edhe bojkoti i auditorëve është një formë proteste. Një student u shpreh ditën e djeshme se një pjesë e tyre u rikthyen në auditor nga frika se mos humbasin vitin akademik. Sipas tij, studentët nuk kanë braktisur protestën, por janë përkohësisht në mësim. “Një pjesë e studentëve mund të kenë përfituar pasiguri. Disa studentë janë rikthyer në auditor, pasi kanë frikë mos humbasin vitin akademik. Nëse nuk bojkotohet dhe shkohet në mësim, thyerje e bojkotit quhet, por ne kuptojmë frikën e tyre. Ata nuk kanë braktisur protestën, por janë përkohësisht në auditorë”, deklaroi studenti.
Reagon Rama për tarifat
Kryeministri Edi Rama ka rrëzuar ditën e djeshme aludimet për tarifat në universitetet. Mbas publikimit në rrjetet sociale të një shkrese ku thuhej se studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit duhet të paguajnë tarifën 100%, kreu i ekzekutivit ka shpjeguar se sa do paguhet në fakultete. Përmes një statusi në rrjetin social Tëitter, ai tha se të gjithë studentët do paguajnë 50% të tarifës. Më tej ai u shpreh se përjashtim 100% nga tarifa do të kenë studentët ekselentë dhe ata më ndihmë ekonomike. Rama deklaroi se pengmarrësit e protestës duan të dezinformojnë studentët. “Pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dezinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të universitetit! Askush të mos paguajë më shumë se 50%. Është miratuar në dhjetor VKM për të paguar 50% të tarifave për të gjithë (100% për ata me 9/10 e me ndihmë ekonomike+bursë 10 mijë lekë) dhe qeveria do t’ua kalojë lekët direkt universiteteve një për një brenda janarit! Fryma e qëllimet e protestës janë tanimë pjesë e rrugës sonë”, ka deklaruar Rama.
Reagon dekanati i Inxhinierisë së Ndërtimit
Mbas publikimit të lajmit të rremë në lidhje me pagesën e tarifave të studimit nga studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, ka reaguar dekanati i këtij fakulteti. Përmes një deklarate për shtyp, dekanati sqaron studentët se nga ana e fakultetit nuk është shpallur asnjë njoftim i ri në lidhje me pagesën e tarifave. Në shkresën e dekanatit gjithashtu është deklaruar se fakulteti është në pritje të zbatimit të akteve të reja nënligjore të cilat kanë hyrë në fuqi. “Nisur nga lajmet që qarkullojnë së fundmi në portale apo rrjete sociale, Dekanati i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, sqaron studentët dhe opinionin publik se:Nuk është e vërtetë që nga ana e Fakultetit është shpallur njoftim i ri për pagesën e tarifës së Shkollimit; Gjatë kësaj periudhe, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim apo publikuar ndonjë njoftim për pagesën e Tarifës së Shkollimit, pasi është në pritje të miratimit të akteve të brendshme rregullatore të organeve kolegjiale të institucionit, në zbatim të akteve të reja nënligjore që kanë hyrë në fuqi”, thuhet në deklaratën e dekanatit.
Diskutime rreth kësaj post