Kreshnik Spahiu ka adresuar një letër publike ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ai i ka kërkuar kreut të shtetit që të firmosë dekretimin e ministrit të Jashtëm Gent Cakaj të cilin e cilëson si autokton shqiptar.
Spahiu sulmon opozitën dhe i quan arsyetime të turpshme.
E plotë
I nderuar Z. President,
Me shqetësim të thellë kam ndjekur sulmet mediatike ndaj emërimit të Ministrit të ri të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, z. Gent Cakaj.
Arsyetimi i opozitarëve ndaj këtij emërimi ka një të përbashkët: “origjinën kosovare”. Ky arsyetim i turpshëm justifikohet me mungesën e CV dhe çertifikatën e sigurisë!
Për arsyet e renditura më poshtë ju kërkoj si jurist, jashtë politikës, që Ministri i Jashtëm duhet të mos pengohet në marrjen e funksionit për këto arsye:
1- Mosha e tij nuk është e re aspak, madje ai ka të njëjtën moshë me liderin e opozitës, Lulzim Basha, kur këtij të fundit iu besua i njëjti dikaster, pra si shef i diplomacisë shqiptare.
2- Shqipëria ka pasur kryeministër 28 vjeçar Pandeli Majkon dhe disa ministra në atë moshë!
3- Shqipëria në 28 vite ka pasur si praktikë mbi 10 ministra me origjinë dhe shtatsi greke, bullgare apo maqedonase!
4- Shqipëria ka pasur në atë post edhe persona që nuk kanë qënë aspak me nacionalitet apo kombësi shqiptare, ose kanë patur bashkëshorten shtetase jo shqiptare!
5- Ministri i ri i Jashtëm është me dy prindër shqiptarë dhe me kombësi 100% shqiptare!
6- Ministri i ri Jashtëm nga Kosova është me arsim origjinal dhe jo të falsifikuar si gjysma e ish-ministrave që kemi njohur në 28 vite!
7- Aktualisht në Shqipëri jetojnë mbi 200.000 shtetas me origjinë nga Kosova dhe ata duhet të gëzojnë të drejta të barabarta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur njësoj si tropojanët, shkodranët, lushnjarët, korçarët, çamët etj.
8- Nuk ka asnjë shkak kushtetues që ju të mos e dekretoni dhe shkaqet e nxjerra nga opozita janë tërësisht jo ligjore.
Për të gjitha këto arsye çdo rrëzim i kandidaturës së z.Gent Cakaj për Ministër të Jashtëm do të ishte një akt tërësisht anti-shqiptar dhe do të ngjallte frymën e racizmit apo diskriminimit krahinor.
Kosova është Shqipëria veriore zoti President, atje jetojnë shqiptarë etnik dhe autokton, flasin shqip dhe kanë tradita shqiptare si unë dhe ju, të trashëguara ndër shekuj.
Unë shpresoj që firma juaj do jetë një dekret patriotik shqiptar dhe jo njollë historike e vulosjes së racizmit dhe diskriminimit krahinor nga simboli i unitetit kombëtar.
Me respekt,
Kreshnik Spahiu
Avokat
Diskutime rreth kësaj post