Lëvizja Socialiste për Integrim është përfshirë nga pakënaqësitë, duke e çuar këtë parti drejt shpërbërjes nga veriu në jug. Një furtunë e madhe largimesh ka nisur prej muajsh, ku shumë anëtarë të këshillave bashkiakë të LSI-së, janë larguar përfundimisht nga kjo forcë politike duke u bashkuar me Partinë Socialiste. Ndërkohë që ditët e fundit shumë këshilltarë të LSI kanë bashkuar votat me PS, duke ndihmuar këtë të fundit që të kalojë buxhetin e vitit 2019 në disa bashki të ndryshme të vendit. Pas Durrësit dhe Elbasanit, ditën e djeshme është kthyer sërish “hemorragjia” në radhët e partisë së Kryemadhit, teksa këshilltarët e LSI në Këshillin Bashkiak të Korçës kanë bashkuar votat me këshilltarët e PS, duke votuar pro buxhetit të vitit 2019 për këtë bashki. Madje, rasti i këtyre këshilltarëve nuk është i panjohur për këtë qytet, pasi edhe herë të tjera kanë votuar materialet e paraqitura në këtë këshill dhe nga ekzekutivi i bashkisë më të madhe në juglindje të vendit. Më konkretisht, mësohet se nga 7 anëtarë të LSI që ka patur ky këshill pas zgjedhjeve të vitit 2015, dy prej tyre vetëm pak kohë më parë kanë kaluar nga grupi i këshilltarëve socialistë, ndërsa tre të tjerë dje kanë bashkuar votat për buxhetin. Por ky vendimi i këshilltarëve të Kryemadhit, bie ndesh me vendimet e partisë, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që i përket frontit opozitar. Kjo edhe për faktin se nga ana tjetër, ditën e djeshme buxheti i vitit 2019 për Bashkinë Korçë është kundërshtuar fort nga këshilltarët e Partisë Demokratike, të cilët e kanë cilësuar këtë buxhet abuziv për xhepat e qytetareve si pasojë e rritjes së taksave dhe tarifave të parashikuara në të. Madje, në shenjë revolte në momentin e votimit pjesa më e madhe e këshilltarëve të PD janë larguar nga salla. Ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Korçës më shumë se replikoi me këshilltarët e PD, ka bërë me dije projektet që kjo bashki do të realizojë përmes buxhetit të vitit 2019 që kap vlerën 1 miliard e 744 milionë lekë, 40 milionë më shumë se buxheti i vitit 2018. Pra, gjithë këto largime këshilltarësh, por edhe bashkim votash me socialistët, tregojnë qartë që parti e Kryemadhit është tronditur.
Opozita në kaos
Lëvizja e këshilltarëve të opozitës drejt mazhorancës, duke se ka shkaktuar edhe panik në radhët e dy partive kryesore, sidomos Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për këtë arsye, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka nisur një tur takimesh në rrethe të ndryshme të vendit, edhe pse në media ajo ka deklaruar se takimet bëhen në kuadër të aksionit opozitar kundër qeverisë. Por gazeta mësoi se arsyeja kryesore se përse Kryemadhi ka nisur takimet me bazën, ka të bëjë me eksodin që ka përfshirë këtë parti së fundmi, ku shumë anëtarë dhe këshilltarë të LSI i janë bashkuar Partisë Socialiste. Disa natyrshëm dhe disa për benefite, kjo pak rëndësi ka, pasi mësohet se në të gjitha takimet Kryemadhi i ka bërë thirrje anëtarësisë që të mos largohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi vetëm kjo parti është një subjekt politik që mbron dhe mbështet kauzat social-ekonomike të qytetarëve. Madje, pak ditë më parë, Kryemadhi hodhi edhe akuza ndaj Ramës, se i ka marrë drejtorët LSI-së. “Këta që janë drejtorë, që janë me Edi Ramën sot që kanë qenë njerëz të LSI-së pa kontribut në LSI, që vinin si shoqëri civile. Ke drejtorë pafund të cilët kanë qenë pjesë e administratës të cilët quheshin si të LSI-së, por që në fakt nuk janë fare të LSI-së”, deklaroi Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post