Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paditi dje në Gjykatën e Tiranës kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe deputeten demokrate, Jorida Tabaku. Padia erdhi pas zbulimit të skandalit me projektin e Unazës së Madhe. PD prej disa ditësh vijon duke publikuar skandale dhe treguar dokumente, ku sipas saj, është ndryshuar plani urbanistik i Tiranës në favor të biznesmenit Edmond Bego. Por Veliaj ka vendosur të hakmerret duke i dërguar në gjykatë Bashën dhe Tabakun për shpifje për akuzat e hedhura nga këta të fundit për devijimin e lumit të Lanës. Në padi Veliaj thotë se akuzat janë të pavërteta, ndërsa kërkon që të paditurit të shpërblejnë dëmin jo pasuror të shkaktuar ndaj tij në shumën e 100.000 lekëve. “E paditura ka shpifur publikisht kur deklaron ngjarje dhe fakte tërësisht të pavërteta. Nga momenti i deklarimeve publike të së paditurës dhe deri më datën që po depozitohet kjo kërkesë padi, nga Bashkia e Tiranës dhe paditësi, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj nuk ka dhe nuk është miratuar asnjë leje ndërtimi në favor të subjektit që përfaqësohet nga zoti Edmond Bego. Ndaj deklarimet publike të të paditurës janë deklarata që bazohen në shpifje dhe fyerje të paditësit, për shkak të funksionit që ai kryen si Kryetar i Bashkisë Tiranë”, theksohet në padi. Erion Veliaj më tej u justifikua se projekti i pretenduar nuk është pjesë e projektit të Unazës së Madhe, por pjesë e zgjatimit të lumit të Lanës.
Akuzat e demokratëve
Pas lajmit se Erion Veliaj ka paditur në gjykatë Lulzim Bashën dhe Jorida Tabakun për shpifje, erdhi edhe reagimi i Partisë Demokratike. Zëdhënësja e PD, në një dalje për mediat nga selia blu nuk kurseu sulmet ndaj Veliajt, ndërsa e akuzoi për mashtrime. Sipas saj, Erion Veliaj po favorizon Edmond Begon përmes projektit të përfolur. “Bashkia e Tiranës bëri atë që di të bëjë më mirë, të mashtrojë qytetarët për të mbuluar të vërtetën e projektit luksoz 60 milionë euro të trafikantit të drogës, Edmond Bego. Përveç mashtrimeve të tjera, Bashkia tha se projekti që zhvendos shtratin e lumit Lanë nuk do të nisë tani. Por ky pohim kundërshton deklaratën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj një vit më parë, sipas të cilit puna për Lanën do të niste shumë shpejt”, tha Ina Zhupa. Zëdhënësja e demokratëve shtoi se duhet pranuar fakti që plani i Erion Veliajt është që të zhvendosë lumin e Lanës me qëllim që të mos preken interesat e Edmond Begos, duke e akuzuar kështu për favorizime ndaj trafikantit të drogës. “Bashkia ka dy alternativa. Ose të pranojë se kryetari Erion Veliaj gënjeu dje kur tha se nuk ka emergjencë ose të pranojë se Erion Veliaj ka gënjyer qytetarët një vit më parë. Në çdo rast mbetet fakt i pandryshueshëm dhe i pamohueshëm se Erion Veliaj dhe Edi Rama firmosën në Planin e ndryshuar Urbanistik të Tiranës, zhvendosjen e Lumit të Lanës me qëllim që të mos prekë tokën ku do të ndërtojë trafikanti i drogës. Ndryshe nga sa mashtron Bashkia e Tiranës, harta zyrtare e Planit Urbanistik të Tiranës tregon gjurmën ekzakte sesi është devijuar Lana në favor të projektit 60 milionë euro të trafikantit të drogës”, deklaroi zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. Përplasje mes Bashkisë së Tiranës dhe Partisë Demokratike për skandalet me projektin e Unazës së Madhe pati edhe dy ditë më parë. Për herë të parë në mënyrë zyrtare Bashkia e Tiranës reagoi para dy ditësh duke mohuar akuzat e demokratëve për ndryshim plani urbanistik në favor të Begos, por PD e akuzoi Veliajn se po iu hedh hi syve qytetarëve.
Diskutime rreth kësaj post