Presidenti Ilir Meta vijon të sfidojë dhe godasë në distancë mazhorancën qeverisëse. Përplasja e tij me kryeministrin Edi Rama për Sandër Lleshajn ndezi fitilat e një lufte të ftohtë Presidencë-Qeveri. Teksa Rama dy ditë më parë goditi Metën për kthimin e buxhetit 2019, presidenti ditën e djeshme ka “thumbuar” në distancë qeverinë për çështjen e studentëve. Nga qyteti i Korçës, Meta deklaroi se është shpërdoruar mjaft kohë dhe energji për këtë çështje, ndërsa theksoi se është e dobishme që të jepet një zgjidhje e besueshme. “Besoj se është shpërdoruar mjaft kohë e energji tepër e dobishme për të dhënë një zgjidhje të besueshme dhe afatgjatë probleme të arsimit të lartë dhe studentëve. Unë do të mbështesja çdo reflektim të sinqertë të thelluar të qëndrueshëm në këtë drejtim, që do të thotë se problemi zgjidhet vetëm përmes dialogut të sinqertë, jo provokues, jo ndarës, as intimidues dhe përmes një bashkëpunimi të besueshëm dhe konstruktiv”, deklaroi ai. Po ashtu, presidenti Meta komentoi edhe refuzimin e lejes së Policisë së Tiranës për diasporën për të protestuar para Kryeministrisë në datat 28-30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore. Ai u ofroi emigrantëve të diasporë të protestojnë në Presidencë, duke u bërë palë me paligjshmërinë. Policia refuzoi administrimin e protestës me argumentin se rrezikohet puna e institucioneve. Por dhe sikur protesta të zhvillohet në Presidencë, sërish është e paligjshme. Pra Meta i ka hapur rrugë në një farë mënyre paligjshmërisë. “Shqiptarët kanë protestuar edhe në diktaturë, pavarësisht nga kostot e tmerrshme që kanë paguar. Nuk besoj që një gjë e tillë mund të ketë ndodhur. Ja e zëmë se ka ndodhur…Janë të ftuar të gjithë emigrantët që të protestojnë në oborrin brenda Presidencës”, nënvizoi Presidenti Ilir Meta.
Reagojnë socialistët
Deklaratat e Metës, por edhe sulmet e LSI ndaj reformës në drejtësi, janë komentuar dje edhe nga deputetët e Partisë Socialiste. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputeti socialist, Bujar Çela shpërtheu në akuza në adresë të Metës, duke u shprehur se me veprimet e tij, presidenti po tregon që është de fakto kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Madje, Çela shkoi më tej kur deklaroi se Meta bën edhe presidentin, edhe opozitën. “Deklaratat e Metës si për qeverinë, si për protestën e diasporës nuk më habisin aspak, pasi Ilir është kryetari de fakto i LSI dhe një opozitar i flakët i kësaj mazhorance. Ilir Meta do më shumë Lëvizjen Socialiste për Integrim sesa Shqipërinë. Unë dhe të gjithë e thamë atëherë ose do ta votojmë Metën kur tha kreu i grupit, ose më pas nuk e votojmë. Kjo pasi në atë kohë nuk do të humbisnim ne që do të kumbisnim presidentit, por do të humbiste e gjitha Shqipëria, pasi do qeveriseshin nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ne kemi qenë të detyruar të zgjidhnim Metën president, megjithëse e dinim që asnjëherë nuk do të bënte presidentin, por do të bënte vetëm precedentin”, deklaroi deputeti i PS, Bujar Çela. Ndërsa, deputeti tjetër socialist, Sadri Abazi teksa komentoi akuzat e LSI dhe gjithë zyrtarëve të opozitës ndaj reformës në drejtësi, u shpreh për gazetën “SOT” se sulmet vijnë në kushtet e panikut. Sipas tij, me ngritjen e SAPK, kushdo që sipas tij, ka abuzuar dhe është përfshirë në korrupsion, do të hyjë në burg. “Opozita e sotme nuk ka qenë që ditën e parë pro reformës në drejtësi dhe asnjëherë nuk e ka dashur ngritjen e KLP, KLGJ, SPAK dhe BKH. Kështu që ngritja e SPAK do bëhet do apo nuk do opozita dhe kushdo që ka abuzuar do shkojë në burg. Të gjithë të barabartë para ligjit”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Sadri Abazi.
Diskutime rreth kësaj post