Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se nuk do t’ia hedhin paq. Për ta viti 2019 pritet të jetë një sfidë e madhe sepse gjatë këtij viti do të jetë gati edhe drejtësia e re. Sipas ligjit, deri në pranverë duhet që Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit të jenë ngritur. Pikërisht hedhja e hapit final për kompletimin e drejtësisë së re me “krijesat e reja” do të rrezikojë edhe gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu. Pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga sistemi i drejtësisë për shkak të problemeve me pasurinë. Shumë prej tyre kanë kryer fshehje pasurie dhe deklarime të rreme, të cilat përbëjnë edhe vepra penale e që dënohen me burg. Por deri tani të shkarkuarit nga vetingu kanë shpëtuar nga hetimet penale. I vetmi për të cilin është hapur një hetim është ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Pak kohë më parë ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit. Por për 35 të shkarkuarit e tjerë nuk ka pasur asnjë lëvizje nga organi i akuzës. Megjithatë, burime nga Ministria e Drejtësisë i thanë gazetës se diçka e tillë do të ndryshojë sapo të jenë gati SPAK dhe BKH. Vendimi i KPK për t’i shkarkuar nga detyra të gjithë ata me probleme me pasurinë është vetëm faza e parë. Sipas informacioneve, për ta do të ketë edhe një fazë të dytë dhe do të jetë pikërisht nisja e hetimeve për ta. Ka tre mënyra sesi mund të arrihet diçka e tillë: hetimi të nisë nga vetë SPAK dhe BKH për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë fshehur pasurinë; organet e vetingut të bëjnë kallëzim për pjesën më të madhe të të shkarkuarve nga vetingu ose në lëvizje për këtë pjesë të vihet Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Ekziston një detyrim ligjor për çdo institucion shtetëror që të kallëzojë nëse bie në kontakt me një vepër penale. Pjesë e këtyre organeve është edhe ILDKP, e cila duhet të kallëzojë gjyqtarët e prokurorët që kanë fshehur pasuritë e tyre.
Stepja e deritanishme
Organet e vetingut dhe ILDKP kanë hezituar deri tani për të kallëzuar emrat e shkarkuar nga detyra për fshehje pasurie sepse nuk kanë pasur besim tek drejtësia momentale. Stepja e tyre nisi që me rastin e ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kërkoi hetim për Imerajn për shkak të shkeljeve që kishte gjetur gjatë hartimit për dosjen e tij në kuadër të procesit të vetingut. Por prokuroria më pas vendosi pushimin e hetimeve. Nisur nga ky precedent, organet e vetingut dhe ILDKP vendosën që të mos kryejnë asnjë lëvizje derisa organet momentale të drejtësisë të mos ekzistojnë më dhe të jenë ngritur ato të rejat. Sipas burimeve të gazetës, argumenti kryesor i organeve për mos-kallëzimin penal për të shkarkuarit nga vetingu është pikërisht mungesa e besimit tek drejtësia aktuale. Gjyqtarët dhe prokurorët do të hezitonin në hetimin e kolegëve të tyre, duke bërë kështu që pjesa më e madhe e kallëzimeve dhe hetimeve të pushoheshin. Për këtë arsye, organet e vetingut dhe ILDKP po presin drejtësinë e re dhe ngritjen e SPAK dhe BKH. Me ngritjen e këtyre të fundit, pritet që të tronditen edhe pjesa më e madhe e të shkarkuarve të vetingut të cilët kanë kryer veprën penale të fshehjes së pasurisë. Ata do të duhet të japin llogari para drejtësisë së re, madje rrezikojnë edhe burgun.
Diskutime rreth kësaj post