Vendimi i Shqipërisë për të dëbuar ambasadorin iranian dhe një diplomat tjetër të dyshuar si të përfshirë në komplote terroriste shkaktoi reagime politike. Për ish-kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror , Fatos Klosi ky ishte një vendim i pritshëm, për sa kohë në Shqipëri janë mikpritur muxhahedinët. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Klosi deklaroi se Shqipëria rreziku i vetëm që i kanoset Shqipërisë nga Irani është kthimi në një fushëbetejë i grupit iranian dhe muxhahedinëve. Ai theksoi se largimi i diplomatëve është bërë me urdhër të SHBA, ndërsa theksoi se edhe nëse ka sulme terroriste në vend, autoritetet inteligjente të Shqipërisë kanë edhe ndihmën e partnerëve. Duke sqaruar se roli i Iranit në vend ka qenë edhe para se të vinin muxhahedinët, Fatos Klosi shtoi se Shqipëria duhet të marrë masa për çdo rast.
-Qeveria shqiptare ka dëbuar nga territori ambasadorin iranian dhe një diplomat tjetër të dyshuar si të përfshirë në komplote terroriste. Si e shihni këtë vendim të Shqipërisë?
Për mua ky është një vendim që e prisja. Jo se e prisja sepse e dija përpara që ata merreshin me aktivitet terrorist, por fakti që ne pranuam muxhahedinët, që janë kundërshtarët e tyre, edhe jo vetëm i pranuam, por ju krijuam edhe lehtësira, nuk mund ta mbajmë mirë me të dyja palët. Këto palë kanë si qëllim eliminimin e njëri-tjetrit, pra të thuash armiq është pak, ata janë armiq për vdekje. Ata kanë objektiv të tyre rrëzimin e qeverisë myslimane, ndërsa myslimanët i quajnë armiq sepse përpiqen të rrëzojnë qeverinë e vendit. Kështu që me vendimin që kemi marrë për të pranuar ata dhe shtabi i tyre qendror të jetë në Shqipëri, kjo pritet. Unë e vlerësoj vendimin e qeverisë shqiptare në kuptimin që është diçka që duhet bërë përderisa ata kanë pranuar të tjerët. Ishte shumë e sigurt që qeveria iraniane nëpërmjet institucioneve që ajo ka, të kemi parasysh që është një shtet diktatorial, është ideologjik e cila është akoma më e fortë, pra nuk është një diktaturë për një arsye të thjeshtë apo për një kohë të caktuar. Është një shtet ideologjik, ideologjia është islame dhe duhet të kemi parasysh që këto shtete ideologjike janë shumë të egër me kundërshtarët e tyre. Kështu që ata do të përpiqeshin që të jenë prezentë në Shqipëri, sigurisht duke bërë edhe akte terroriste kundër bashkatdhetarëve të tyre. Duhet ta pranosh që kjo është politika e tyre e luftës. Është thënë që edhe në shtyp, edhe në media, që kur shoqëria e pranoi, mori përsipër një risk. Nuk mund të them rrezik, por është një risk dhe e ka ditur që e gjitha kjo do të ketë probleme. Jam i sigurt që këto pika i ka marrë përsipër në momentin që është marrë vendimi dhe ishte diçka që pritej.
-Sa e rrezikuar është Shqipëria nga Teherani?
Jo, nuk është e rrezikuar në kuptimin e plotë të fjalës. Por duhet thënë që ne duhet të jemi më të vëmendshëm, duhet të jemi më të përgatitur për ngjarje. Në territorin e Shqipërisë do të zhvillohet një luftë midis dy palëve iraniane. Kjo është e gjitha dhe për këtë duhen marrë masa.
-Para se të vinin muxhahedinët në Shqipëri, a ishte i rrezikuar vendi ynë nga sulmet terroriste dhe nga Teherani?
Unë di të them që këto lëvizje lidhen direkt me çështjen e muxhahedinëve, sikurse e theksova edhe më lart. Nga muxhahedinët ka ndërruar situata. Irani ka qenë prezent në Shqipëri edhe më parë. Unë kam parasysh luftën e Kosovës, ata bënin një presion të fortë që të ishin një vend që e ndihmonte popullin e Kosovës dhe u detyruan që t’i thoshin që po, mund të ndihmonin. Sigurisht ata ndihmonin nga pikëpamja financiare sepse me mënyra të tjera jo sepse ne i kemi të zgjidhura problemet. Ndërkohë që e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Bosnje. Por në Bosnje është problem i hapur akoma. Iranianët vajtën atje për të ndihmuar, por ata janë akoma atje dhe janë shndërruar në problem. Janë martuar me boshnjake, etj, pra është një problem i ngatërruar. Këto i di unë sepse kam qenë me shërbim atëherë dhe i kam këto informacione.
-Sa e lehtë është për agjenturat e huaja që të infiltrohen në territorin shqiptar?
Nuk është aq e lehtë sepse territori shqiptar është i vogël. Populli shqiptar po ashtu është i kujdesshëm ndaj të huajve. Gjithmonë i ka parë me një farë zilie, si njerëz që vijnë nga një botë kur jetohet më mirë, etj, por nga ana tjetër i ka parë edhe me kujdes se çfarë bëjnë dhe veprimet që kryejnë. Edhe në atë sistemin e mëparshëm, ku zyrtarisht janë cilësuar në përgjithësi si agjentë, sigurisht ka qenë e vërtetë në disa raste. Kështu që nga kjo pikëpamje mund të themi që populli shqiptar është një popull i përgatitur. Këtu është një gjë që është ndjekur politika e dyerve të hapura. Ne nuk kemi qenë shumë të kujdesshëm, kemi lejuar persona të hyjnë, pra s’jemi treguar fort të ngurtë. Por edhe nuk kemi pasur raste apo indicie për të na detyruar që të jemi më të kujdesshëm, që të nxjerrim një mësim. Ishin disa terroristë të fshehur, nuk është se ishin aktivë, por u kapën. Me të drejtë mund të pyesësh a kanë mbetur të tjerë? Po pse jo, edhe mund të kenë mbetur. Një aktivitet terrorist, terrorizmi është bërë “gogol” në të gjithë botën, një aktivitet terrorist do të kërkonte mbështetje nga populli vendas. Absolutisht, këtë mbështetje nuk e gjen dot në Shqipëri. Shqiptarët janë indiferent le të themi ndaj tyre. Thashë që ne mund t’i kemi zili sepse vijnë nga një botë e madhe, mund të jenë më të pasur, por jemi mësuar pak me atë idenë që janë armiq, që nuk vijnë kot. Më tepër ka qenë edhe si propagandë, por e ka bërë atë punën e vet.
-Si ekspert i fushës, a kanë shërbimet inteligjente shqiptare asistencë nga vendet partnere për rreziqet nga terrorizmi?
Sigurisht, do thosha jo asistencë, por mbështetje totale. Nuk quhet asistencë, të thuash asistencë është pak. Në luftën kundër terrorizmit apo në çështjet e terrorizmit shërbimi shqiptar në një farë mënyre është i drejtuar nga specialistët e vendet e mëdha, kryesisht nga të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Francës, por edhe nga gjermanët pak më pak. Por amerikanët dhe francezët japin kontributin kryesor. Unë do të thosha që edhe në vendimin për të dëbuar ambasadorin e Iranit dhe një diplomat sigurisht që janë të përfshirë edhe partnerët, sidomos amerikanët. Unë jam i sigurt që është kërkesë e tyre sepse e kanë parë me dyshim këtë gjë. Kjo duket edhe nga deklarata përmes së cilës mbështesin këtë vendim të qeverisë shqiptare. D.m.th janë fort në valle ata. Edhe sigurisht informacioni për këta që janë larguar mund të jetë nga shërbimi vendas, por sigurisht edhe me ndihmën e tyre.
-Në Shqipëri ndodhen me mijëra muxhahedinë. A përbëjnë kërcënim ata për sigurinë kombëtare?
Jo, nuk do thosha kështu. Unë e kam vizituar disa herë kampin e muxhahedinëve. Ata janë një grup njerëzish shumë të organizuar, shumë të disiplinuar, nuk përbëjnë absolutisht asnjë rrezik vetëm. I vetmi rrezik, nëse mund ta quajmë rrezik, është fakti që iranianët mund t’ju kërkojnë probleme atyre. E nëse ju krijohen probleme atyre, atëherë rrjedhimisht na krijohen probleme edhe neve sepse ne jemi vendi mikpritës i tyre. Kjo sepse jemi të lidhur me ta, pra gjërat vijnë zinxhir. Por më shumë se kaq nuk mund të them se mund të pësojmë sepse muxhahedinët në vendin tonë shohin punën e tyre. Është një organizim goxha interesant.
-Vendimi i Shqipërisë për të dëbuar dy diplomatët iranianë u përshëndet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa nga ana tjetër do të ngrihet edhe një bazë e NATO në vend. A do të thotë kjo se SHBA po faktorizon Shqipërinë në Ballkan?
Mbase edhe po, nuk mund të kem një përgjigje të prerë. Nuk mund të themi nëse bëhet me qëllim për ta faktorizuar, por mund të them me plot bindje që krijimi i bazës së NATO në vend e faktorizon Shqipërinë në Ballkan, ky është rezultati. Ndërkohë që është edhe një bazë e gatshme, një bazë ku shpenzimet janë më të vogla, por që nëse kanë bërë një bazë për forcat tokësore në Kuçovë, tani po bëjnë një bazë për forcat ajrore në Kuçovë. Ne jemi mbase kombi më dashamirës për amerikanët në rajon, por edhe në të gjithë Evropën. Të gjithë të tjerët janë më pak dashamirës se ne. Deri tani, nuk kemi pasur asnjë vërejtje për ta. A duhet të kishim? Sigurisht. Nuk është një vend aq i kulluar, ata i bëjnë gjërat për qëllimet e veta. E thonë copë këtë gjë ata. E kanë të shkruar: Interesat e amerikanëve para të gjithë të tjerave. Thjesht kaq mjafton për të qenë pothuaj i sigurt që jo të gjithë gjërat që bëjnë janë për vendin tonë. Por ne ju jemi borxhli me thënë të drejtën. Kontributi i tyre në disa ngjarje të rëndësishme të vendit ka qenë deciziv. Aq më shumë është një superfuqi që nuk ka pretendimet ndaj Shqipërisë, as territoriale, as ekonomike dhe kjo e bën një aleat komod. Duhet thënë që nga kjo pikëpamje, edhe krijimi i bazës së NATO do të forcojë sigurinë kombëtare. Duke forcuar sigurinë, duke vendosur standardet e NATO për atë bazë, Shqipëria është shumë afër asaj baze. Çdo pikë e territorit shqiptar është afër, kështu që automatikisht kontribuohet në forcimin e sigurisë së këtij vendi dhe parandalimin e fenomeneve të rrezikshme.
Diskutime rreth kësaj post