Një student doli në shëtitje me profesorin e tij, duke shëtitur dhe biseduar gjatë rrugës, ata shikuan rroba dhe një palë këpucë të vjetra të një fshatari të varfër, i cili punonte arën e tij.
Studenti i tha profesorit: Të bëjmë shaka paksa me këtë fshatar, t’ia fshehim këpucët e tij dhe të shohim reagimin e tij kur do të fillojë që ti kërkojë ato.
Profesori iu përgjigj: Djalosh, kurrë mos bëj shaka në llogari të fatkeqësive të të tjerëve. Duke qenë se ti je i pasur, në vend të kësaj, ti mund të përjetosh më shumë kënaqësi. Vendose një monedhë ari në çdo këpucë të tij, atëherë do të fshihemi pas shkurreve dhe të shikojmë reagimin e tij.
Studenti veproi ashtu dhe u fshehën aty pranë.
Fermeri pasi e përfundoi punën e tij, erdhi tek vendi ku kishte lënë rrobat dhe këpucët. Duke veshur mantelin, e futi këmbën në njërën këpucë dhe vërejti se kishte diçka në këpucën e tij. Në fillim ai mendoi se ishte ndonjë guralec, por shpejtë e kuptoi se ishte një monedhë ari.
U çudit, lëshoi shikimin e tij përreth dhe filloi ta vëzhgojë monedhën për disa kohë. Sërish nisi të shikonte përreth, por nuk vërejti askënd. Vuri monedhën në xhepin e tij dhe e futi këmbën në këpucën tjetër. Befasia e tij ishte edhe më e madhe kur gjeti edhe një monedhë tjetër në këpucën tjetër. Papritur u kaplua nga emocionet, ra në gjunjë, ngriti sytë kah qielli dhe me zë filloi të lutet në shenjë mirënjohje.
Gjatë lutjes ai përmendi gruan e tij të sëmurë dhe të dobët, fëmijët e mbetur pa bukë si dhe falënderoi dorën e padukshme që i dërgoi monedhat, për të cilat u lut që të jenë të ruajtura.
Studenti u prek thellë dhe i dolën lotët nga sytë.
Profesori me atë rast e pyeti studentin: A do të ishe më i lumtur në qoftë se do të bëje shaka me fermerin sesa tani?
Studenti iu përgjigj: Profesor, unë kam mësuar një mësim që asnjëherë nuk do ta harroj. Tani me të vërtetë i kuptoj fjalët që nuk i kisha kuptuar më parë: “Më i lumtur është ai që jep, sesa ai që merr”.
ETIKA E TREGIMIT:
Asnjëherë mos i nënçmoni apo tallni personat e varfër, por gjithmonë përpiquni ti ndihmoni ata, se vetëm në këtë mënyrë mund të arrini qetësinë dhe kënaqësinë shpirtërore. Allahu i Lartësuar i ka ndarë njerëzit në të pasur dhe të varfër, andaj mirësitë nuk plotësohen përpos se me ndihmesë ndaj të varfërve, andaj Ai e obligon të pasurin t’i ndihmojë të varfrit nga pasuria e tepërt që e posedon.
Jepu të varfërve me shpirt të mirë, me dorë bujare duke pasur mendim të mirë ndaj Allahut xh.sh, se ai të shpërblen me sevap dhe me pasuri.
Thotë Allahu xh.sh në Kur’an: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish? Allahu e shtrëngon (riskun) dhe e liron; tek Ai do të ktheheni.” Bekare: 245. /InfoShqip.com
Diskutime rreth kësaj post