Në seancën e sotme parlamentare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha nga foltorja e Kuvendit, se të 8 pikat që studentët kërkojnë do të plotësohen.
“Dua ta them troç, të gjitha kërkesat e studentëve do të plotësohen një më një, por jo me dialog me ju, por me ata që meritojnë të gjithë respektin e këtij Kuvendi e këtij kombi,” tha Balla.
Ai gjithashtu bëri me dije se kryeministri Rama ka nisur një proces për zgjidhjen e 8 pikave, por dhe problematikave të tjera që rëndojnë mbi studentët.
“Kryeministri ka iniciuar një proces, që do shkojë hap pas hapi deri në zgjidhjen përfundimtare jo të 8 pikave, por dhe më shumë sëmundjeve në universitetet tona që ne nuk kemi mundur t’i zgjidhim në këto vite qeverisje.
Ka dhe problematika që lidhen me kurrikulat, e shumë të tjera. Si ka mundësi të talleni me ata që janë në shesh? Si ta ndryshoj unë buxhetin, Petrit, kur është te Ilir Meta, te Presidenti i Republikës.
28 vite tallje, e doni të bëni 28 minuta tallje e këtu në parlament. Ne e kemi nisur procesin, dhe të jeni i sigurt që ky proces dialogu do të sjellë zgjidhje,” u shpreh Balla.
Ndërkohë studentët janë mbledhur për të protestuar përpara Kuvendit.
Diskutime rreth kësaj post