A ishte takimi i Pejës një spektakël patriotik, apo projekt i pashmangshëm? Për të debatuar rreth mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri ishin të ftuar në emisionin “JAVA” deputetët Ervin Bushati, Aldo Bumçi dhe Edmond Haxhinasto.
“Po të shohim atë që po ndodh, mbizotërojnë simbolikat por ka shumë pak përmbajtje. Pra janë takime boshe. Ne kemi dy çështje të rëndësishme siç është ajo e shkëmbimit të territoreve. Dhe kjo temë kaq e rëndësishme rezulton e padiskutuar në tryezën mes Haradinajt dhe Ramës. E dyta, kemi rastin e Rrugës së Kombit. Të gjitha marrëveshjet Shqipëri-Kosovë janë si një letër pa vlerë pa këtë shtyllë kurrizore që lidh dy vendet. Në asnjë mbledhje të përbashkët nuk është diskutuar çështja e taksës” – tha Bumçi.
Për deputetin e LSI, Edmond Haxhinasto, askush nuk i pengon të dy vendet që marrëveshjet t’i firmosin çdo ditë. Nga ana tjetër, Haxhinasto e ka cilësuar si integrim me Kosovën, dhe jo bashkim.
“Ne jemi të detyruar të ndjekim rrugën e BE. Bashkimi ynë do të ndodhë brenda kësaj familje europiane duke integruar ekonomitë dhe duke hequr kufijtë. Por ne mund t’i bëjmë disa gjëra edhe pa bërtitur. Për shembull, heqja e patentave mund të ishte bërë më përpara. Askush nuk na pengon neve për të punuar çdo ditë për çështje të tilla. Nga ana tjetër ne nuk mund t’i imponohemi Bashkimit Evropian duke përdorur një retorikë kushtezuese” – tha ish-ministri Haxhinasto në emisionin “Java” në RTSH.
Diskutime rreth kësaj post