Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta janë rreshtuar kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Kryeministri Edi Rama të hënën bëri një deklaratë shumë të fortë, duke u shprehur se dy vendet do të jenë bashkë brenda vitit 2025. Por edhe pse kjo është një gjë që e do çdo shqiptar, Berisha, Meta dhe një sërë deputetësh pranë tyre janë rreshtuar kundër, ashtu si Serbia dhe Greqia. Deklaratat e Ramës janë kundërshtuar shumë ashpër jo vetëm në Beograd dhe Athinë, por mbështetje kanë gjetur edhe nga opozita shqiptare. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar deklaratat e Ramës, duke i quajtur antishqiptare. Sipas tij, Rama përdor çdo vizitë në Kosovë për të mbuluar dështimin e tij në hapjen e negociatave të Shqipërisë. “Deklaratat e Edvin Kristaq Ramës në Pejë janë mirëfilltas antishqiptare! Të dashur miq, përdorimi i përsëritur i Kosovës nga Edvin Kristaq Rama për të sulmuar dhe kërcënuar BE është akt banditesk dhe fund e krye antishqiptar. Tashmë është bërë zakon që çdo vizitë në Kosovë, Edvin Kristaq Rama do të përdorë për të mbuluar dështimin e tij të plotë në rrugën e integrimit, hapjes së negociatave të Shqipërisë në BE por edhe për të ndihmuar me to direkt apo indirekt mikun e tij Vuçiç. Me mesazhet kërcënuese që lëshon nga Kosova, Rama si një bandit, si një Don Kishot i vërtet mendon se ai tut Bashkimin Europian dhe i imponon atij të mbyllë sytë para organizatës shtetërore kriminale më të rrezikshme të Europës, “Rilindja” që kryesohet nga kreu i Meduzës Edvin Kristaq Rama”, deklaroi ai. Më tej, Berisha nuk ngurroi ta etiketonte deklaratën e Ramës si kryekëput proserb. “Prandaj dënoj me ashpërsinë më të madhe deklaratat antikombëtare në thelb proserbe kundër Bashkimit Europian të Edvin Bregoviçit dhe përdorimin e Kosovës nga ana e tij për deklarata, me të cilat kërkon të mbulojë dështimet, skandalet, narkoshtetin e mazhorancës së tij të krimit dhe drogës, vjedhjes dhe korrupsionit”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha.
Meta rreshtohet krah Berishës
Në të njëjtën linjë me ish-kryeministrin Sali Berisha ditën e djeshme është rreshtuar edhe partia e Metës. Ka qenë deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha, e cila i ka cilësuar si një alarm, deklaratat e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Gjosha përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se deklaratat e bëra dy ditë më parë në Pejë nga kryeministri Edi Rama, sipas saj, janë nacionaliste dhe të papërgjegjshme, që e vendosin vendin tonë në një pozitë të vështirë me fqinjët. “Janë deklarata të tilla nacionaliste dhe të papërgjegjshme që trazojnë gjithmonë marrëdhëniet e brishta të rajonit tonë. Janë pikërisht këto deklarata që nuk ndihmojnë vazhdimësinë e një dialogu konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe e vendosin Shqipërinë në një pozicion të vështirë me fqinjët, ku politika ‘Zero Probleme me Fqinjët’ e ka humbur tashmë kuptimin!” shkruan Gjosha. Po ashtu, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha theksoi se Rama po përdor kërcënimet ndaj BE-së për rezultate konkrete. Pra, kjo nuk është hera e parë që ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta bëhen bashkë, pasi, pak ditë më parë ata kundërshtuan fort rishikimin e kufijve Kosovë- Serbi, ide kjo e artikuluar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Diskutime rreth kësaj post