Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka prezantuar idenë e një projekti për bashkim kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës duke iu rikthyer kështu retorikës nacionaliste të disa viteve më parë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen me dy qeverive në Pejë, Rama i bëri ftesë Haradinajt që të nisë puna nga dy Ministritë e Jashtme për hartimin e një strategjie të përbashkët për bashkimin e shqiptarëve deri në vitin 2025.
Rama shtoi se Shqipëria nuk mund të presë pafundësisht BE-në në lidhje me pranimin në këtë organizëm, sikurse Kosova është e lodhur nga pritja për liberalizimin e vizave.
Duke u ndalur tek marrëveshjet mes dy vendeve, Rama tha se brenda 6-mujorit të vitit të ardhshëm do të ketë 0 taksa në doganat mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa 100% taksa në veri, pra në kufirin Kosovë-Serbi.
Ai e konsideroi vendimin e fundit të Kosovës për produktet serbe një reagim politik të drejtë, të ardhur pas veprimeve të palës serbe për pengimin e anëtarësimin e Kosovës në instancat ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës se “qenësia e normalizuar e Kosovës është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”.
“Për Shqipërinë, Kosova është shtet i pavarur, sovran, me regjim demokratik, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se “e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë-shtete dhe nuk njeh gjysmë-njerëz”, duke nënvizuar se “prandaj jemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj”.
“Interpoli ishte shfaqje dekurajuese për shfaqjen e partnerëve potencialë në rajon”, shtoi Rama.
Diskutime rreth kësaj post